Sot, me 26.09.2026, rreth orës 01:27, rreth orës 01:00, në fshatin Lutogllavë, në magjistralen Suharekë–Prizren, ka ndodhur një vetaksident trafiku, raporton Gazeta e Prizrenit.
Sipas informatave të para dhe veprimeve fillestare hetimore, dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur pasi drejtuesi i automjetit, mashkull rreth 19 vjeç, nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet dhe rrethanat e rrugës, e cila ishte e lagësht si pasojë e reshjeve të shiut. Me këtë rast, drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin, i cili ka dalë jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit, pasagjeri, mashkull rreth 19 vjeç, nga fshati Piranë e Prizrenit, ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit ka pësuar lëndime trupore.
Njësitet përkatëse policore, së bashku me ekipet e emergjencës, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa i dyshuari është ndaluar në ndalim policor për 48 orë.
Policia, në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti.
