Denoncimi për shantazh me video-incizim ndaj afaristit Jemini, merr vendim Prokuroria
Biznesmeni Isni Jemini nuk do të ndiqet penalisht për shantazh. Përkundrazi, është modelja Zana Berisha, e cila e ka denoncuar afaristin nga Rahoveci, e cila po ndiqet penalisht për vepra të njëjta.
I denoncuar nga ish-Miss Kosova, Zana Berisha, për shantazh dhe lajmërim të rremë për një histori që të dy kishin me njëri-tjetrin, Prokuroria ka vendosur që ta rrëzojë kallëzimin penal ndaj Jeminit.
Të mërkurën e 1 nëntorit, Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për hedhjen e kallëzimit penal për shantazh të modeles Berisha ndaj afaristit nga Rahoveci, raporton Paparaci.
Paparaci e ka siguruar aktvendimin e Prokurorisë Themelore në Prizren. Aty thuhet se ish-Miss Kosova e ka denoncuar në polici afaristin Jemini duke u mbështetur në dy prova: një video-incizim dhe fotografi.
Prokuroria, ka vlerësuar se me provat e paraqitura nga modelja nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar se afaristi Jemini ka kryer veprat penale për të cilat është denoncuar.
“Lidhur me pretendimet e parashtrueses së kallëzimit penal se i dyshuari Isni Jemini është përfshirë në kryerjen e veprës penale Lajmërimi apo kallëzimi i rremë, Prokurori i Shtetit vlerëson se tani për tani nuk ekzistojnë prova konkrete se i dyshuari në fjalë është përfshirë në kryerjen e veprës së tillë penale, pasi që Prokurori i Shtetit ka marrë konfirmimin se i dyshuari Isni Jemini, pranë kësaj prokurorie ka deponuar kallëzim penal ndaj të dyshuarës, parashtrueses Zana Berisha […]”, thuhet në aktvendim.
“[…] i cili rast aktualisht është duke u trajtuar pranë Departamentit të Përgjithshëm të kësaj prokurore, ashtu që tani për tani, çfarëdo pretendimi se i njëjti mund të ketë lajmëruar rrejshëm parashtruesen Zana Berisha, do të shihej si prejudikim i procedurës së çështjes penale e cila është duke u zhvilluar aktualisht ndaj parashtrueses Zana Berisha”, thuhet në aktvendim.
Modelja Zana Berisha dhe afaristi nga Rahoveci, me veprimtari në Zvicër, Isni Jemini, e kanë një rast tjetër të hapur në gjykatë. Lënda, po ashtu ka të bëjë me shantazh.
Për këtë rast, modelja Berisha ndodhet në arrest shtëpiak mbi dyshimet për shantazh ndaj afaristit.
Berisha dyshohet se e ka detyruar biznesmenin të paguajë rreth 200 mijë euro, një pjesë e tyre para të gatshme dhe një veturë luksoze. Dyshohet se shantazhin ndaj afaristit e ka kryer në vazhdimësi për dy vjet me radhë.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur dhe po ashtu është mbajtur seanca ndaj të dyshuarës.