26-04-2024

Deputetët me kritika të shumta për arsimin në Kosovë

Deputeti i Lëvizjes vetëvendosje, që njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për Arsim Ismail Kurteshi, tha se arsimi në Kosovë është në gjendje të rëndë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, mungesës së organizimit të mirë dhe për shkak të ndërhyrjeve politike.

Ai në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet gjendja në arsim dhe vendimet e MAShT-it, Kurteshi duke iu referuar disa studimeve të publikuara tha se numri i atyre që janë analfabet funksional po rritet. Tha se dy muaj para fillimit të vitit të ri shkollor ende nuk dihet se me cilat tekste do të fillojë viti i ri shkollor, me të vjetrat që nuk janë në harmoni me kurrikulën e re apo me të rejat për të cilat ka shumë vërejtje, raporton ksp.

Kurteshi ka folur edhe për idenë e riorganizimit të shkollave, ku tha se ka shkolla që punojnë me tri ndërrime me 40 nxënës në klasë dhe ka shkolla që punojnë me një ndërrim dhe kanë numër të vogël të nxënësve. Ai tha se ministria e Arsimit në këtë situatë duhet t’i prijë procesit të riorganizimit të shkollave duke pasur parasysh në rend të parë interesin e nxënësve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se shkollimi në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë me i shtrenjtë e as me i dobët.

Në seancën që po mbahet për gjendjen në arsim dhe vendimet e MAShT-it në Republikën e Kosovë, Kurti shprehi shqetësimet e tj për rezultatet e testit PISA, për të cilin tha se ka dëshmuar që Kosova me 146 pikë nën mesataren e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ngelet në fund të ranglistës.

Meqenëse 40 pikë janë sa një vit shkollimi, ai tha se i bie që maturanti i Kosovës, është i nivelit të semimaturantit. Ai tha se arsimi në Kosovë është për arsimtarët e jo për nxënësit, pasi pjesa më e madhe e buxhetit shkon për pagat. Foli edhe për mungesën e trajnimeve, teksa shtoi se ka një numër shumë të madh të atyre që punojnë në fusha për të cilat nuk kanë studiuar.

Sipas tij, pavarësisht shkollimit të tyre, të rinjtë po punojnë në fusha të tjera, gjë që merr kohë edhe kooperimi i tyre në vendin e punës.

“Mbifurnizimi me disa profesione, dhe mungesa në disa të tjera, janë gjithashtu dukuri e normalizuar në këtë hendekun e shkathtësive. Për shembull 52 për qind e studentëve në arsimin e lartë studiojnë shkencat shoqërore, biznes apo juridik, e vetëm 2 pë rqind bujqësi, ndonëse bujqësia përbënë 10 për qind të brutoproduktit vendor në Kosovë… Prandaj nuk është e rastësishme që mbi 90 për qind të të diplomuarve në Universitetin Amerikan (RIT) janë të punësuar apo kanë bizneset e tyre”, u shpreh Kurti.

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka deklaruar se Kosova po vazhdon të ketë arsim të dobët, e një pjesë të fajit për këtë sipas saj e ka Ministria e Arsimit.

Ajo tha se arsimi po vazhdon vetëm me sasi, ku tha se nuk ka mbetur askush pa fakultet.

“Pa arsim cilësor nuk ka as zhvillim ekonomik, as mirëqenie sociale. MAShT ka dështuar në shumë çështje të cilat do të mundohem t’i numëroj, arsimi po vazhdon me cilësi jashtëzakonisht të dobët në të gjitha nivelet, për këtë pajtohemi të gjithë besoj. Arsimi po vazhdon me sasi saqë nuk mbeti askush pa fakultet, është mirë në njërën anë që të gjithë po dalin me diploma, por vije në pyetje se çfarë diploma dhe çfarë kuadro po nxjerrin këto universitete. Arsimi nuk përputhet aspak me tregun e punës, shpesh mungojnë kuadrot profesionale në fusha të ndryshme të specializuara, ndërsa kemi kuadro tepricë. Nuk ka logjikë kur nuk përputhet arsimi me tregun e punës. Nuk ka zë brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe Komisionin Evropian që nuk thotë se arsimi është uzurpuar nga partia në pushtet”, tha ajo.

Ajo tha se vetëm në raportin e fundit të Komisionit Evropian nuk ka akuzë më të madhe sesa të thuhet se arsimi i lartë mbetet një sektor me rrezik të lartë për korrupsion dhe ndikim politik.

Deputetja tha se korrupsion është edhe kur ministria e Arsimit mbushet me militantë të partisë që udhëheqë ministrinë.

Asnjë koment

Comments are closed.