Deputetët që do ta kryesojnë seancën konstituive janë Jahja Koka dhe Fjolla Ujkani
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e cila është paraparë të mbahet më 26 dhjetor në ora 15:00 do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, Jahja Koka, shoqëruar nga deputetja më e re deputetja Fjolla Ujkani, e që të dy janë deputetë të zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në seancën konstituive pikë e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, ndërsa pason betimi i deputetëve.
Po ashtu në seancën konstitutive do të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, saktësisht kryetari dhe pesë nënkryetarët.
Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Tre nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë.
Edhe pse tashmë zyrtarisht është caktuar seanca konstituive e kuvendit, dy subjektet që janë duke negociuar për formimin e Qeverisë, LVV dhe LDK ende janë larg arritjes së një marrëveshjeje finale për bashkëqeverisje.
Pozita e presidentit ka krijuar mospajtim për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe ndarjen e pozitave institucionale. /Telegrafi/