Deputeti i AAK-së thumbon Vetëvendosjen e LDK-në
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thumbuar dy partitë opozitare Vetëvendosjen dhe LDK-në.
Ndonëse nuk ka përmendur emra, aludimi i tij është qartë se e ka fjalën për deputeten Albulena Haxhiu, që tha se veprimi i Haradinajt për të thirrur mbledhje të Qeverisë “do të ketë pasoja”.
“Këta pinjollët opozitarë dështuan ta rrezojnë Qeverinë Haradinaj dhe për gati dy vjet, rrahën ujë në havan kot! Tash të gjendur përballë një dështimi të tillë, kanë filluar të shesin mend se si vendi nuk po u dashka me pasë qeveri as në dorëheqje!!! Po ku e keni dëgjuar ju se me dorëheqjen ose me shkarkimin e qeverise, një shtet po mbetka pa qeveri!?”, ka shkruar Nitaj. “Disa prej jush, që e paskëshit krejt këtë ekspertizë e kulture juridike, pse nuk po na jepni mend se si të shkohet në zgjedhje menjëherë, por po merreni nëse Ramush Haradinaj duhet me ndejt në zyrë apo jo!!!. Apo i keni ra pishman e po ju dhimbsen mandatet dhe në vend që të flisni për zgjedhje prapë po merreni me Ramushin!”, ka shkruar më tej ai.
E ka folur edhe diçka tjetër, që me gjasë aludimi është te LDK-ja.
“Hiç nuk do të çuditesha që ndonjëri prej jush, të fillojë të ‘reflektojë’ e të bëhet pjesë e skenarit të krijimit të një Qeverie Kukull, natyrisht kjo me arsyen e njohur tashmë, ‘na u dasht ta bëjmë për interesa vendit’! Se mos është hera e parë!”, ka thënë ai.
LDK-ja kishte braktisur VLAN-in (Vetëvendosjen, AAK-në dhe Nismën) pas gjashtë muajsh ngërç politik, për t’iu bashkuar PDK-së në qeverisje, në vitin 2014.