25-04-2024

Deputeti i VV-së shpalos një propozim tjetër: LDK ka refuzuar postin e Kryeparlamentarit dhe Presidentit

Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje Shpejtim Bulliqi, ka folur rreth mos arritjes së marrëveshjes me LDK-në një ditë para seancës konstituive të Kuvendit, ku pritet të betohen deputetët e ri dhe të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët.

Ai në një postim në Facebook shkruan se partneri i negociatave për formimin e qeverisë së re, LDK-ja ka refuzuar ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit dhe atë të presidentit ‘si shkëmbim’ me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Kryesia e LDK-së, për shkak të interesave të ngushta, e ka lëshuar një shans fantastik që ua ka ofruar Albini. Kanë refuzuar ta marrin edhe kryeparlamentarin edhe presidentin e ta japin Ministrinë e Brendshme”, shkruan Bulliqi.

Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa deklaroi se nuk kanë dështuar negociatat me Lëvizjen  Vetëvendosje, por ka dështuar strategjia e kësaj të fundit duke i hedhur fajin LDK-së dhe se partia që ai drejton është e gatshme për vazhdimin e bisedimeve.

“Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, kryetari i Kuvendit, presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë. Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pa balancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore”, ka shkruar Mustafa ndër tjera në Facebook.

Para deklarimit të Mustafës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti përmes një video-mesazhi në Facebook akuzoi LDK-në se nuk ka bërë asnjë koncesion për zgjidhjen e ngërçit të marrëveshjes për bashkëqeverisje, teksa tha se partia që ai drejton ka bërë pesë koncesione.

Ndryshe, nesër mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, nga ora 15.00, ku në rendin e ditës janë tri pika për diskutim: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të  mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, dhe  zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryetarin e propozon partia fituese që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje, por që nuk ka marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje.

Në mbledhje jepet betimi i deputetëve që të mund të fillojë mbledhja. Pas betimit kalojnë në trupat zgjedhor të Kuvendit. Pastaj caktohet kryesuesi, deputeti më i vjetër në moshë dhe ai më i riu.

Së pari vjen propozimi për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje që do të votohet në parim, nëse merr 61 vota e merr pozitën. Pastaj kalohet në pjesën e nënkryetarëve, dy nënkryetarë shqiptarë, dy nënkryetarë të komuniteteve. Por mbledhja konstituive duhet të kryhet brenda ditës.

Nëse nuk fiton vota propozimi i Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit, mbledhja shkon në pushim, pastaj kur janë votat vjen propozimi prapë. Propozimi mund të jepet pafundësisht derisa të zgjidhet, pasi askush nuk ka të drejtë me Kushtetutë, me ligj, me rregullore përveç Vetëvendosjes të japë propozimin për kryeparlamentar.

VV dhe LDK janë duke negociuar rreth tre muaj për të formuar koalicionin qeverisës, por që kanë pasur dallime në ndarjen e pushtetit. LDK përveç kryeparlamentarit, pesë ministrive po kërkojnë edhe presidentin që do të zgjidhet më 2021.

Asnjë koment

Comments are closed.