26-11-2024

Deputeti Visar Korenica mohon se është larguar nga Vetëvendosje

Të mërkurën është raportuar se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica është larguar nga ky subjekt politik.

Raportimet aludonin se Korenica bashkë me deputetin tjetër të linjës konservatore, Eman Rrahmani, do të largohen nga subjekti i Kurtit, për t’iu bashkuar Partisë së Drejtësisë (PD), të Ferid Aganit, që më pas t’i bashkohen Aleancës Kosova e Re (AKR), për një koalicion parazgjedhor.

Korenica e ka mohuar këtë raportim, në një prononcim për Gazetën Express.

“Jo nuk jam larguar nga VV-ja, nuk janë të vërteta raportimet. Vazhdoj të kem qëndrimet e njëjta për të gjitha temat gjatë legjislaturës së fundit”, ka thënë Korenica.

Visar Korenica, Eman Rrahmani dhe një grup i deputetëve tjerë të pushtetit dhe të opozitës nuk u pajtuan që në Kuvendin e Kosovës të kalonte Kodi Civil, ku një prej nenëve lejonte edhe regjistrimin civil të personave të seksit të njëjtë.

Pas kësaj, ka pasur luhatje raportesh me kryeministrin Albin Kurti, pasi Kurti si politikan i majtë ishte deklaruar pro të drejtave të komunitetit LGBT+.

Grupi i deputetëve me prirje konservatore kritikuan edhe një sërë ligjesh të tjera si fekondimi artificial, pasi thonë se kjo cenon familjen tradicionale.

Asnjë koment

Comments are closed.