23-11-2024

Deputetja Musliu-Shoshi pyet ministren Bajrami për paratë që dërguan bashkatdhetarët për situatën me COVID-19

Deputetja e PDK-së Ariana Musliu Shoshi gjatë seancë së Kuvendit të Kosovës pati një pyetje drejtë ministres së Financave, Hykmete Bajrami e që ka të bëjë me paratë e dërguara nga mërgimtarët për të ndihmuar Kosovën në situatën pandemike.

“Jemi dëshmitarë se bashkatdhetarët tanë në diasporë janë më meritorët për luftën, pavarësinë dhe shtet ndërtimin tonë. Janë ata që ndajnë kafshatën e gojës për ne. Tani kur po luftojmë me armikun e përbashkët ata nuk u kursyen, ata me një video u kërkuan që të dërgojnë të holla. Duke marrë parasysh se ky fond menaxhohet nga Ministria e Financave sa para janë mbledhur dhe për çfarë aktivitete po shfrytëzohen këto mjete?”, tha Musliu-Shoshi.

Ndërsa ministrja Bajrami tha se Thesari në kuadër të Ministrisë së Financave ka tashmë një llogari të hapur bankare për pranimin e fondeve në kuadër të pandemisë COVID-19, kryesisht në kuadër të granteve dhe donacioneve.

“Nën llogari ae hapur është pjesë e sistemit të vetëm të thesarit dhe mbahet në Bankën Qendrore e është funksionale nga 722 mijë e 160 euro të mbledhura deri më tani prej të cilave 671 mijë e 479 euro kanë ardhur nga jashtë Kosova, kurse nga brenda 50 mijë e 670 euro në kuadër të mjeteve që vijnë nga Zvicra, Gjermania, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, ShBA-të, Belgjika dhe Finlanda.150 mijë euro janë alokuar në MSH më herët, meqenëse donatori më herët ka kërkuar që këto fonde të dërgohen në MSH, kurse shuma tjetër prej 511 eurove janë dërguar në kuadër të komunë së Skenderajt, pasi donatori ka kërkuar. Mjetet tjera nuk ka shpenzime dhe janë fonde të cilat gjenden në llogari. Kemi evidenca edhe nga cilat shtete vijnë këto mjete dhe do të përdoren për menaxhimin e pandemisë dhe do t’i dedikohen Ministrisë së Shëndetësisë dhe të tjerave që mbulojnë nevojat e qytetarëve për menaxhimin e pandemisë”, tha Bajrami, shkruan Indeksonline.

Tutje Musliu-Shoshi kërkoi nga ministrja Bajrami që këto fonde të jenë transparente kurdo që të dërgohen për shfrytëzim tek ministritë e tjera.

“Të jenë transparente kurdo që këto mjete të dërgohen për shfrytëzim tek ministritë e tjera”, tha ajo.

E ministrja Bajrami tha se do të kujdesen maksimalisht për këtë.

“Edhe ne do të kujdesemi maksimalisht që të ketë transparencë të plotë për shfrytëzimin e këtyre parave. Falënderojë të gjithë bashkatdhetarët që kanë kontribuar në këtë kohë edhe kura ta ishin të goditur nga pandemia”, shtoi ajo./Indeksonline/

Asnjë koment

Comments are closed.