Deri kur do të zgjasë i nxehti afrikan, flet Sylë Tahirsylaj

Vendin tonë këtë javë e ka kapluar i nxehti afrikan. Sipas parashikimeve gjatë ditës së sotme temperaturat do të arrijnë deri në 36 gradë.

Lidhur me këto temperatura përvëluese por edhe atë se sa do të zgjasin ka folur meteorologu i njohur, Sylë Tahirsylaj.

“Temperaturat minimale në shkallë vendi do të luhaten nga 16 – 19 C, ndërsa temp. max. nga 34-36 C . Do të ketë erë nga ana e jugut dhe jugperëndimit me shpejtësi 1-4 m/s pra është një situatë sinoptike e cila nuk përkon fort me lartësinë mbidetare që e ka vendi ynë”, tha ai.

Këto masa do të jenë të paqëndrueshme meqenëse sipas Tahirsylës, “vlerat e shtypjes atmosferike me një periudhë mbi 30 vjeçare janë ma të larta sesa ato normale të gjerësisë dhe gjatësisë gjeografike të Republikës së Kosovës”.

Më tutje, Tahirsylaj bëri me dije se duke filluar nga dita e shtunë deri të hënën, do të ketë një ulje të theksuar të temperaturave, këto masa mund të shkaktojnë ndonjë rigë të dobët dhe ndonjë shkarkim fare të dobët në lokalitete por jo në shkallë vendi, njofton Klankosova.tv.

Sipas tij që nga viti 1922 deri tani, muaji më i nxehtë është korriku. E qyteti kosovar me temperaturat më të larta është Prizreni pasi siç tha Tahirsylaj ka klimë kontinentale.

Kurse, temperatura më e lartë e shënuar ndonjëherë në shkallë vendi është regjistruar në vitin 1956, me 39 gradë./GE