Dështon gjykimi ndaj ish-inspektorit në Prizren

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e vetë të akuzuarit Musliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e tij, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gent Gjini ka thënë se i njëjti nuk mund të prezantoi në seancë për shkaqe shëndetësore.

Pas kësaj gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance ndërsa, seancën e radhës e  ka caktuar më 06 prill 2021, në ora 09:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 21 nëntor 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mos pagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ai është i përfshirë edhe në disa raste të tjera në procese gjyqësore që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale./BetimipërDrejtësi