24-11-2024

Dështon gjykimi ndaj zyrtarëve komunal të Malishevës dhe të një biznesmeni

Për shkak të mungesës së prokurores Deshire Jusaj të enjten ka dështuar gjykimin për korrupsion ndaj ish- zyrtarit komunal i komunës së Malishevës Jakup Krasniqi, biznesmenit Remzi Mazreku, Islam Vrenezi, ish-drejtor i urbanizmit në Komunën e Malishevës dhe zyrtarët tjerë komunal Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi dhe Qlirim Karaqica.

Lidhur me mungesën e prokurores Jusaj, kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraqia, ka bërë të ditur se njëjta përmes një emaili zyrtar ka njoftuar se nuk mund të jetë e pranishme në seancë, pasi që e është ftuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të intervistohet për kryeprokurore të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Ndërsa, gjykata nëpërmjet sekretarisë i ka njoftuar mbrojtësit e të akuzuarve që seanca e sotme detyrimisht duhet të shtyhet.

Po ashtu, gjykata njoftoi se mbrojtësi i të akuzuarit J.K, avokati Haki Kryeziu e kishte njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij kishte ndërruar jetë, për të cilin gjykatësi tha se ka nxjerr aktvendim jashtë seancës për pushim të procedures ndaj tij për shkak të vdekjes.

Meqenëse nuk ka kushte, seanca e sotme shtyhet dhe caktohet me 17 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Remzi Mazreku po ngarkohet me veprën penale “Veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” nga neni 285, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Remzi Mazreku gjatë muajit tetor të vitit 2018, në Malishevë, në cilësi të operatorit ekonomik N.T “Flamuri”, me dashje ka shkelur ligjin e afarizmit, duke vepruar në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që pasi që e ka fituar kontratën më 29 tetor 2018, nga Komuna e Malishevës për kryerjen e punimeve të kanalizimit në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj” të Malishevës, nuk i kanë përmbushur kushtet e kërkuara sipas kontratës, duke mos i kryer punimet sipas kritereve të kërkuara në kontratë.

Tutje thuhet se janë vendosur gypa të plastikës, jo të brinjëzuara, nuk është mbuluar me dhe të gërmuar gypi PE/315 i vendosur dhe i përforcuar për betoni, në gjatësi 12 metra, puseta nuk është mbuluar me kapakë betoni, nuk janë vendosur kapakët metalik gizës /600 me kapacitet 40 ton, nuk është bërë rregullimi i vendpunishtes pas përfundimit të punimeve, si dhe punë tjera të pakryera, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 9 mijë e 870 euro e 18 centë.

Për këtë, sipas aktakuzës ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike”, nga neni 285, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 16 nëntor 2018, në Malishevë, i akuzuari J.K. në cilësinë e kryetarit, ndërsa të akuzuarit Jakup Shurdhaj dhe Besnik Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për pranimin e punimeve në rrjetin e kanalizimit në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj” të Malishevës, të caktuar sipas vendimit të kryetarit të Komunës së Malishevës më 15 nëntor 2018, në dokumentin zyrtar- Raportin e Pranimit Teknik të 16 nëntorit 2018, kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se është përmbushur kontrata me operatorin ekonomik N.T “Flamuri”, sipas përmasave dhe kontratës së kontraktuar, dhe projekti i kanalizimit i plotëson kushtet për përdorim, sipas kritereve të kërkuara me kontratën e lidhur në mes të Komunës së Malishevës dhe N.T “Flamuri” edhe pse punët në vendpunishte nga operatori ekonomik nuk janë kryer siç janë përshkruar në dispozitivin një të aktakuzës.

Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 9 nëntor 2018 në Malishevë, i akuzuari Islam Vranezi në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Malishevës dhe e akuzuara Valdete Morina, në cilësinë e menaxheres së projektit të kanalizimit në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj”, në dokumentin zyrtar- Raportin e Kryerjes së Punimeve, kanë shënuar të dhëna të rreme,

E gjithë kjo, sipas aktakuzës,  duke  vërtetuar se pas daljes në terren në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj” janë realizuar punimet në bazë të projektit të kontratës dhe planit dinamik nga operatori ekonomik N.T “Flamuri”, duke rekomanduar që operatorit ekonomik në fjalë t’i bëhet pagesa për realizimin e këtyre punimeve në shumën prej 9 mijë e 870 euro e 18 centë, edhe pse e pandehura Morina ishte në pushim vjetor nuk kishte dalë në vendpunishte edhe pse punët në terren nga operatori ekonomik nuk janë kryer siç janë përshkruar në dispozitivin një të aktakuzës.

Për këtë, thuhet se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas aktakuzës, i akuzuari Qlirim Karaqica po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e zyrtarit në Drejtorinë për Urbanizëm në Malishevë ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me  nenin 9 të Ligjit për Prokurimin Publik, edhe pse ishte i obliguar që para se të bëjë paramasën dhe parallogarinë të dalë në terren dhe të shikojë terrenin ku do të kryhen punimet, i pandehuri e bën paramasën dhe parallogarinë për shpurje horizontale të rrugës për kalimin e gypit të kanalizimit apo të ujërave atmosferike në gjatësi prej 55 metra, duke bërë parallogarinë prej 3 mijë e 500 euro tek nënkalimi në vendin ku ka ekzistuar shpurja horizontale edhe më parëd, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm material rreth 3 mijë e 500 euro.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 pika 2.1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.