05-05-2024

Dështon gjykimi për korrupsion në Prizren

 Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e anëtarit të trupit gjykues, Nazim Vllaqo dhe dëshmitari Bujar Hasani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e anëtarit të trupit gjykues, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka thënë se i njëjti nuk mund të prezantoi në seancë për arsye të panjohur për gjykatën.

Ajo tha se që nga mëngjesi ka provuar të kontaktoi gjyqtarin mirëpo ai nuk është lajmëruar në telefon, po ashtu e njëjta tha se është njoftuar edhe mbikëqyrësi Sefer Gutaj, mirëpo i njëjti ka deklaruar se gjyqtari Nazmi nuk është paraqitur sot në punë dhe nuk e di arsyen.

Ndërsa për mungesën e dëshmitarin Bujar Hasani, gjykatësja Elezi, tha se ka prova se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt dhe mos ardhjen nuk e ka arsyetuar.

Pas kësaj gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance ndërsa, seancën e radhës e  ka caktuar më 30 prill 2021, në ora 13:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 21 nëntor 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mos pagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ai është i përfshirë edhe në disa raste të tjera në procese gjyqësore që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.