16-01-2025

Dështon të nisë gjykimi ndaj zyrtarëve të Mamushës të akuzuar për keqpërdorime me listën e përfituesve të mbështetjes financiare

Për shkak të mungesës së përkthyesit ligjor, dështoi të nisë gjykimi të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren ndaj Sakir Mazrek, Ferdi Taç, Erdinç Morina, Fetah Morina dhe Visar Shala, të cilët po akuzohen se në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Mamushës, kanë keqpërdorur detyrën lidhur me listën e përfituesve të mbështetjes financiare pas vërshimeve.

Në këtë gjykim, nevojitej një përkthyes ligjor për arsye se të akuzuarit i përkasin nacionalitetit turk, kështu që në mungesë të tij, dështoi seanca, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2024 nga Prokuroria Themelore në Prizren, të akuzuarit Sakir Mazrek, Ferdi Taç, Erdinç Morina, Fetah Morina dhe Visar Shala po ngarkohen se më 29 janar 2021, në Mamushë, në cilësinë e personave zyrtarë, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në bashkëkryerje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër ose t’i shkelin seriozisht të drejtat e personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Sakir Mazrek, në cilësinë e kryetarit të komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe shirat e rrëmbyeshëm në Komunën e Mamushës, ndërsa të pandehurit Ferdi Taç, Erdinç Morina, Fetah Morina dhe Visar Shala, si anëtarë të komisionit, dyshohen se kanë përpiluar në mënyrë të kundërligjshme një raport mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe listën me përfituesit e mbështetjes financiare.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se 13 persona të tjerë, që nuk janë fermerë fare, janë futur në listën e përfituesve, duke përfituar shumën prej 22 mijë e 936 euro e 70 centë. Në total, dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës përllogaritet në 120 mijë e 393 euro e 31 centë.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 2 lidhur me par. 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

 

Asnjë koment

Comments are closed.