Sipas burimeve, Sinjali raportoi se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mesditën e djeshme në zyrën e drejtorit të shkollës, ku pas një konflikti verbal, njëra arsimtare dyshohet ta ketë shtyrë kolegen e saj duke e rrëzuar në tokë.
Këtë raportim e ka konfirmuar për Sinjalin, drejtori i SHFMU “Motrat Qiriazi”, Sedat Shkurti i cili ishte dëshmitar i rastit.
Shkurti, rrëfen se si ndodhi incidenti brenda hapësirave të institucionit arsimor.
“Ka qenë shtyerje ku njëra mësimdhënëse është shtyer në drejtim të tavolinës ku unë isha i ulur dhe asgjë më tepër. Unë nuk e di arsyen se pse ka ndodhur kjo dhe pse bash në zyrë tek unë. Kam kërkuar raportim nga të dy mësimdhënëset pse e kanë bërë këtë gjest jo etik dhe është lajmëruar menjëherë DKA-ja në Prizren”, u shpreh Shkurti.
Ai shtoi se ky incident është kapur nga kamerat e sigurisë të shkollës.
“Ata (DKA), do t’i marrin hapat e tyre, dhe për këtë rast ekzistojnë incizimet e kamerave të sigurisë se çfarë ka ndodhur”, u shpreh drejtori i shkollës.
Si pasojë incidentit, 38-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Lëndim i lehtë trupor’.