22-09-2026

Paraburgim për Leotrim Fanajn, dyshohet se pla*gosi me thikë policin Vehap Morina

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim Leotrim Fanajt, 32-vjeçar, i dyshuar për përleshjen e 19 shtatorit, gjatë së cilës u lëndua edhe zyrtari policor Vehap Morina, raportoi Gazeta Sinjali.

Ndërkaq, Lavdim Arifaj, 33-vjeçar, do të mbrohet në liri, pasi gjykata ka refuzuar kërkesën për paraburgimin e tij.

Vendimet janë marrë më 21 shtator nga gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm Penal, ka konfirmuar Sinjali nga Burimet e saj

Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për identitetet e dy të dyshuarve dhe ndërhyrjen e policit Vehap Morina, i cili kishte arritur ta çarmatoste Fanajn, ndërsa gjatë përplasjes kishte mbetur i plagosur me thikë në dorë.

Sipas përshkrimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 19 shtator, rreth orës 12:40, në Vlashnjë të Prizrenit. Fanaj dyshohet se kishte nxjerrë armën nga brezi dhe me dorezën e saj kishte goditur Arifajn dhe një person tjetër, me inicialet Gj.A.

Në atë moment kishte ndërhyrë Morina, duke arritur t’ia merrte armën nga dora. Por, sipas gjykatës, Fanaj më pas kishte nxjerrë një thikë dhe kishte sulmuar Arifajn.

Siç kishte raportuar Sinjali, polici Morina ishte dërguar për trajtim mjekësor për plagën në dorë dhe, pas marrjes së ndihmës, ishte liruar për në shtëpi.

Gjykata ka njoftuar se nga sulmi kishin pësuar lëndime të lehta trupore Morina, Gj.A. dhe Arifaj, të evidentuara në raportet mjekësore të Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Fanaj dyshohet për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

Ndërkaq, Arifaj dyshohet se gjatë së njëjtës ngjarje e kishte goditur Fanajn në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Ai po hetohet për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe do të mbrohet në liri.

Të dy ishin dërguar fillimisht në mbajtje me vendim të prokurorit kujdestar, pas intervistimit në praninë e avokatëve mbrojtës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

 

Asnjë koment

Comments are closed.