303 kg kok*ainë mes mishit të pulës, katër shqiptarë në pranga në Spanjë – trafiku dyshohet se drejtohej nga burgu në Shqipëri
Një ngarkesë prej 303 kilogramësh kokainë, e fshehur mes mishit të pulës së ngrirë, ka çuar në goditjen e një rrjeti të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës në Spanjë. Gjashtë persona janë arrestuar, katër prej tyre shqiptarë, ndërsa hetimet kanë nxjerrë dyshime se organizata drejtohej nga një shtetas shqiptar që ndodhet në burg në Shqipëri.
Operacioni është zhvilluar në portin e Algecirasit, ku autoritetet spanjolle zbuluan kokainën e fshehur në 28 kuti, brenda një kontejneri të ardhur nga Brazili.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, rrjeti kriminal kishte bazën në Valencia dhe po përpiqej të krijonte një rrugë të re për futjen e kokainës në tregun evropian.

Kontejneri kishte mbërritur në port më 17 nëntor. Ngarkesa ishte deklaruar për transport drejt Kepit të Gjelbër, por të dyshuarit planifikonin ta nxirrnin drogën gjatë qëndrimit të anijes në port dhe ta transportonin drejt një vile pranë Algecirasit.
Policia ndërhyri pikërisht në momentin kur të dyshuarit po nxirrnin kutitë me kokainë dhe po përgatiteshin t’i ngarkonin në automjete.

Tre persona u arrestuan në vendngjarje, ndërsa një shqiptar tjetër u kap në afërsi, teksa dyshohet se po kontrollonte rrugën për të paralajmëruar bashkëpunëtorët për praninë e Policisë.
Dy persona të tjerë, të dyshuar si drejtues të aktivitetit në Spanjë, u arrestuan në një kafene pranë portit.
Por një nga zbulimet më të rëndësishme të hetimit lidhet me personin që dyshohet se drejtonte organizatën nga Shqipëria.

Sipas raportimeve, ai është një shtetas shqiptar, i identifikuar me inicialet I.Z., i cili ishte arrestuar më parë në Spanjë dhe më pas ishte ekstraduar në Shqipëri.
Megjithëse ndodhet në burg, hetuesit dyshojnë se ai vazhdonte të koordinonte aktivitetin e organizatës përmes komunikimeve me bashkëpunëtorët.
Mediat spanjolle raportojnë se i dyshuari u kishte pretenduar bashkëpunëtorëve se paguante rreth 10 mijë euro në muaj për të siguruar kushte të privilegjuara në burg, përfshirë telefona dhe shërbime personale. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se një person kishte filmuar me kamerë GoPro procesin e nxjerrjes së drogës, ndërsa pagesat për pjesëmarrësit në operacion parashikoheshin të kryheshin përmes kriptomonedhës USDT.
Sipas hetuesve, 303 kilogramët e sekuestruar përbënin vetëm një provë për një plan shumë më të madh trafikimi.
Organizata dyshohet se synonte të transportonte deri në një ton kokainë në javë përmes portit të Algecirasit, me objektiv rreth katër tonë në muaj.

Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe sqarimin e mënyrës se si drejtuesi i dyshuar mund të ketë komunikuar me rrjetin nga burgu.
