Detajet e fundit për 50 të arrestuarit e sotëm, u përfshinë 400 herë në veprimtari kriminale

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka dhënë detaje për operacionin e sotëm të zhvilluar në rajonin e Gjakovës dhe të Prizrenit.

Ai tha se në pranga kanë përfunduar 48 policë kufitar dhe dy doganier.

“Janë arrestuar 50 zyrtarë, 48 policë dhe dy doganier. Kemi edhe disa persona në arrati që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, por jemi duke bashkëpunuar me autoritetet e Shqipërisë për të siguruar prova për ta”, ka thënë Lumezi.

Ai tha se janë konfiskuar telefonat e policëve dhe doganierëve që do të shërbejnë si provë materiale në procedurën hetimore.

Ndërsa kreu i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka deklaruar se policët e arrestuar dhe dy doganierë, dyshohet se janë përfshirë rreth 400 herë në veprimtari kriminale.

Sipas tij, në mesin e 50 të arrestuarve janë edhe dy togerë, pesë rreshter dhe dy doganier.

Ai ka njoftuar se me vendim të prokurorit, të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar nga detyra deri në përfundim të rastit./IO/