Dha dorëzani dhe tentoi të ikë nga Kosova, arrestohet një serb në Jarinje
Policia e Kosovës ka arrestuar Sinisha Nedeljkoviqin, pasi i njëjti tentoi të ikte nga Kosova.
Lajmi është konfirmuar edhe nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Sot, njësia e DHTN Mitrovicë Veri është njoftuar nga pika kufitare Jarinje se personi i dyshuar ka tentuar të largohet nga Kosova në drejtim të Serbisë. Personi i dyshuar ka qenë nën masën e dorëzanisë dhe nuk ka pasur të drejt ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i rastit i Prokurorisë Speciale dhe me aktvendim të tij, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh” deklaroi Elshani për IndeksOnline.
Nedeljkoviq dyshohej për veprat penale “Prodhimi, përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotikë” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.