Digjet një stallë bagëtish në Prizren, zjarri përfshinë edhe shtëpinë
Një zjarr i madh ka përfshirë sot një stallë bagëtish dhe një shtëpi në rrugën “Naip Berisha” në Prizren, ku për pasojë janë shkaktuar dëme të mëdha, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Incidenti ka ndodhur në orët e mëngjesit dhe akoma nuk dihen shkaktarët e zjarrit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se zjarri kishte nisur fillimisht në një stallë bagëtish, që u bë shkrumb e hi e më pas ka përfshirë edhe një shtëpi. Banorët kërkuan ndihmën e Policisë dhe Zjarrfikësve, me ç’rast u arrit që zjarri të shuhej para se ta digjej shtëpia në tërësi.
Bazuar në deklaratat e banorëve, dëmi që është shkaktuar kap vlerën e rreth 10 mijë eurove.
Sipas informacioneve të para, dyshimet lidhen se zjarri është shkaktuar si pasojë e rrymës, por një gjë e tillë pritet të konfirmohet pasi në vendin e ngjarjes të dalin edhe ekspertët, për t’i bërë ekzaminimet e nevojshme.
Në lidhje me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Incident zjarri”.