Disa banorë të Mleqanit të Malishevës protestojnë para gjykatës, ankohen ndaj hajnave të shtëpive të tyre
Banorë të fshatit Mleqan të Komunës së Malishevës kanë protestuar të mërkurën para Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, pasi thonë se kjo gjykatë e prokuroria nuk po e kryejnë punën e tyre si duhet lidhur me vjedhjet që po bëhen në këtë fshat.
Kryetari i fshatit Mleqan, Ismet Kryeziu, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, tha se kanë ardhur para gjykatës për të shprehur mllefin e tyre, me dyshimin tek prokuroria dhe gjykata.
“Ky është i treti rast brenda muajit, na e kem dyshimin tek prokuroria dhe gjykata, policia i qojnë hajnat, ata i lëshojnë mbasdite edhe ata menjëherë vijnë na vjedhin”, tha Kryeziu.
Sipas tij, ardhja para kësaj gjykate është në pamundësi për të shkuar në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Ai tha se po kërkojnë nga Gjykata e Malishevës që personat e arrestuar për vjedhjet në këtë fshat mos të lirohen, me arsyetimin se kanë hyrë dhunshëm dhe kanë grabitur aty, duke tentuar edhe vrasjen e banorëve.
Ndërsa i dëmtuari nga kjo ngjarje, Bajram Kryeziu, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se si familje kërkojnë vetëm drejtësi.
“Ne si familje e kem majtë durimin dhe i kemi nxanë hajnat dhe ia kemi dorëzu policisë në dorë pa i prek, kërkojmë drejtësi, ligji çka e parasheh, fakte kane, argumente kane”, tha i dëmtuari Bajram Kryeziu.
Për hapa të mëtutjeshëm banorët kanë deklaruar se do të bisedojnë me fshatarët dhe do të shohin se si do të veprojnë gjykata, prokuroria e policia.