04-05-2024

Pranon fajësinë dhe kërkon falje, përdori dokumentin e falsifikuar për të shitur veturën

I akuzuari Ramadan Reshitaj e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje për përdorim të dokumentit të falsifikuar, duke ia shitur veturën e tipit “Golf II”, të dëmtuarit Leotrim Duraku.

Deklarimi i të akuzuarit u bë të mërkurën në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, pasi që me kërkesën e tij aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë, është hera e parë që kam kryer vepër penale, nuk do ta përsërisë më dhe kërkoj falje para gjykatës”, tha i akuzuari Reshitaj.

Me pranimin e fajësisë është pajtuar edhe prokurori Kastriot Memaj, i cili i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta dënojë sipas ligjit dhe si dënim plotësues vetura e tipit “Golf II”, të konfiskohet.

Pranimi i fajësisë u aprovua nga gjykatësi Njazi Morina, ndërsa shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet më 8 tetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur në qershor të 2020-ës nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, Ramadan Reshitaj akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në korrik të vitit 2019, në Malishevë, kishte përdorur dokumentin e falsifikuar dhe ka shitur automjetin tek personi tjetër.

Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Reshitaj, me dije përdor dokumentin e falsifikuar, dhe atë numrin e karrocerisë së automjetit të tij të markës “Golf II”, duke rishtypur numrat e karrocerisë dhe të njëjtin e ka përdorur derisa këtë veturë ia ka shitur Leotrim Durakut.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Duraku me ta marrë këtë veturë, e dërgon për kontroll në Qendrën e Automjeteve të Kosovës, ku dyshohet për manipulim dhe pas ekzaminimeve të kryera nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ka rezultuar se numrat e karrocierisë së automjetit janë të manipuluara dhe pas kësaj, zyrtarët policorë kanë sekuestruar automjetin në fjalë.

Më këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit” nga neni 390, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë

Asnjë koment

Comments are closed.