Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Zyrtarisht, sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 113 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare, përcjell albinfo.ch.
Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit 20, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor 1912 u shpall edhe Pavarësia e Shqipërisë.
Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup sot do të organizojë një aktivitet në kuadër të manifestimit “Ditët e Alfabetit – 2021”.