Tetë raste të reja me fruth gjatë javës së fundit në Kosovë
Tetë raste të reja me fruth janë konfirmuar në Kosovë gjatë javës së fundit. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga 16 prilli deri më 27 shtator 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 180 raste me këtë sëmundje.
“Vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme, më e sigurt dhe më efikase për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë komunitetit”, thuhet në njoftimin e Institutit.
Përveç vaksinimit të rregullt, sipas kalendarit kombëtar të imunizimit, IKSHPK-ja ka intensifikuar edhe vaksinimin plotësues për fëmijët që, për arsye të ndryshme, nuk janë vaksinuar me kohë.

Sipas institutit, si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3 mijë e 176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.
“Ky rezultat konfirmon ndërgjegjësimin e lartë dhe angazhimin e prindërve për të siguruar shëndetin e fëmijëve të tyre”, thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve në rritjen e shkallës së vaksinimit.

Instituti ka theksuar se vaksinimi i fëmijëve është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të fruthit.
