24-04-2024

Dita e parë në karantinë, policia mbikëqyrë Korishën

 

Korisha e Prizrenit tashmë është në karantinë. Patrullat e policisë janë vendosur në hyrje-dalje të fshatit në zbatim të masave përkatëse ndaj pandemisë, duke kthyer mbrapsht ata që provojnë të dalin nga fshati.

Korisha është ndër fshatrat më të mëdha jo vetëm të komunës së Prizrenit, por edhe më gjerë, ndërsa ka një numër të madh të banorëve në mërgim, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Pas shfaqjes së rastit të infektimit me COVID-19 mbrëmë, Ministria e Shëndetësisë vendosi që ky fshat të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat.

Pasi fshati është shpallur zonë karantinë, ndalohen hyrje-daljet dhe lëvizja. Këto masa janë për parandalim dhe obligohen t’i respektojnë të gjithë.

Njëri nga banorët e atjeshëm, përmes telefonit tha për gazetën se ka pak shqetësime,  pasi nuk dihen personat e kontaktuar nga e infektuara, ndërsa është rritur vëmendja e tij dhe fqinjëve

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, sot ka thënë se policia ka marrë masat përkatëse, ka krijuar pikat pesë pika kontrolli në këtë fshat,  dhe po mbikëqyrë të gjitha hyrje-daljet, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

“Në bazë të vendimeve të qeverisë, në fshat kanë të drejtë të lëviznin vetëm personat për çështje humanitare, shëndetësore,  ata të furnizimeve, si dhe persona me leje të veçanta”, tha ai, derisa shtoi se nuk ka panik.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani ka thënë sot se situata epidemiologjike në të gjitha komunat e Kosovës është në menaxhim, ndërsa rasti në Korishë të Prizrenit ku nuk po dihet burimi i infeksionit është duke u hulumtuar.

Autoritetet kanë kërkuar, të gjithë ata që kanë kontaktuar me personin e infektuar të vetizolohen për dy javë dhe nëse kanë simptome të telefonojnë në numrin 038 200 80 800.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka thënë se nuk ka vend për kënaqësi dhe apeloi te qytetarët që të mos dalin pa nevojë dhe t’i zbatojnë rekomandimet e Institutit.

“…. Jemi në fillim të prillit moti po përmirësohet dhe lus qytetarët të mos grumbullohen… Ruani higjienën, mbani distancën se do ta kalojmë aq shpejt sa ne kujdesemi”, ka thënë ai për rtv Dukagjini.

Në Prizren, ndërkaq është edhe një mjek-stomatolog i infektuar, derisa një mjek tjetër (dhëndri i të infektuarit) ndodhet në karantinë dhe sot pritet testimi i tij për virusin. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.