‘Djali i axhës ka ndejtë krejt kohën në Ulqin, tash është veteran. Pse të mos jem edhe unë?’
Lufta për marrjen e titullit dhe rrjedhimisht pensioneve nga ‘VETERANI’ e ka degraduar dhe lënduar në masë të madhe edhe luftën e atyre që vërtet ishin pjesë e e saj.
Një rrëfim i ish mjekut të UÇK-së, Liri Loshi, më së mirë e shpërfaq gjendjen në të cilën janë katandisur shumë njerëz, vetë për të përfituar para nga shteti për të cilin ndoshta nuk luftuan asnjë ditë të vetme.
Rrëfimi i Loshit se si shumë njerëz që në kohë lufte ishin në bregdete duke kaluar pushime, tash janë veteran lufte me letra, tregon edhe lëndimin që kanë marrë nga kjo, ata që luftuan vërtet, shkruan GazetaBlic.
Ish mjeku i UÇK-së, Liri Loshi në një postim të tij në Facebook ka treguar një rast kur ishte takuar me një person, emri i të cilit figuron në listën për veteran.
Loshi thotë se disa prej tyre thonin se u është ofruar kërkesa për ta nënshkruar si veteran, shkruan GazetaBlic.
E disa prej tyre e morën këtë titull, ngase edhe familjarë a shokë të tyre që nuk ishin në luftë e kishin marrë atë, e pse mos ta merrnin edhe ata.
Gjeni më poshtë postimin e Loshit të plotë dhe pa ndërhyrje
Kur s’ta rrokë e masandej ta rrokë!
Kur isha në Kosovë, disa njerëz që i njoh i pyeta se a ishin veteranë të UÇK-së. Të paktën dy prej tyre m’u përgjigjen kështu:
“Ma prunën kërkesën dhe e nëshkrova!”
I kuptoja se ndiheshin keq duke ditur se do t’i kem mbajtur në mend nga lufta se nuk kanë qenë ushtarë të UÇK-së. Por e kisha vështirë të besoja se dikush do t’ua ketë ofruar ashtu kot kërkesën e plotësuar në emër të tyre!!! Si vështirë të gjendeshin vullnetarë të tillë kur dihet se njerëzit kanë shitur statuset e veteranëve me nga 2500 e më shumë euro!
Por, një gjë nuk e kam të qartë. Si iu përgjigjen këta njerëz fëmijëve të tyre kur i pyesin për luftën, sidomos ata që i kanë fëmijët e rritur dhe që e dinë mirë se etërit e tyre nuk kanë qenë ushtarë të UÇK-së. Si iu përgjigjen grave, të tyre? Pse ata të jenë veteranë të UÇK-së dhe ato të mos jenë, kur tërë kohën kanë qenë së bashku?! A nuk është ky një diskriminim klasik që iu vjen grave në të njëjtën kohë jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga burrat e tyre? Si mund të jetë veteran një mashkull vetëm pse me profesion është mjek dhe aty ku ka jetuar ka kryer punën e vet?! E pse atëherë nuk janë shpallur të gjithë mjekët veteranë, por dikush po e dikush jo? Pse, në bazë të të njëjtit princip, nuk janë shpallur veterane edhe të gjitha infermieret. Nuk ka asnjë mjek që ka marrë frymë në Kosovë dhe që nuk ka ndihmuar pacientët. Mjeku nuk bën punë tjetër pos t’i mjekojë të sëmurët. A duhet që vetëm pse është mjek të jetë veteran? Apo, pse të jetë veteran lufte një tregtar që ka furnizuar popullin dhe ushtrinë, por njëkohësisht ka nxjerr përfitimet e veta?! Apo, një këngëtar që kurrë nuk është dukur në fronte lufte, por që ka bërë këngë patriotike pas lufte, për të cilat është paguar?! Por, ka edhe më zi. Ja një rast i tillë, “më i zi”.
Unë: A je veteran?
Ai: Po.
Unë: Më duket se nuk ishe ushtar në luftë.
Ai: Aiii doktor, i vonë je ti. Stërgjyshi im ka qenë luftëtar i Azem Bejtës.
Unë: Stërgjyshi po, por ti jo.
Ai: Pastaj, gjyshi im ka qenë luftëtar i Shaban Polluzhës.
Unë: Gjyshi po, por ti jo.
Ai: Edhe unë kam qenë, doktor. Gjatë luftës tërë kohën kam ndejtë në Drenicë, kurrë nuk jam larguar.
Unë: Në Drenicë ke ndejtë, por ushtar nuk ke qenë.
Ai: E djali i axhës tim?!
Unë: Çka, djali i axhës tënd?
Ai: Djali i axhës tim ka ndejtë krejt kohën në Ulqin dhe tash është veteran. Pse unë që kam qenë krejt kohën në Kosovë të mos jem veteran e ai po?!
Unë: Po, po. Dikush krejt kohën ka qenë në Gjermani, në Zvicër, Suedi… e tash është veteran. Pse të mos jesh edhe ti!?
Ai: E sheh doktor. Më në fund ta rroku.
Unë: Më fal që të mundova se nganjëherë vërtet nuk ma rrokë!
Ai: Jo, jo, s’ka problem doktor!