Dogana e Serbisë thotë se ua ka ndalur mbi 50 mijë franga dy shqiptarëve
y shqiptarëve u janë ndalur 52 mijë e 500 franga zvicerane nga Dogana e Serbisë. Këtë e ka bërë të ditur të enjten vetë dogana serbe përmes faqes zyrtare.
Dy shqiptarët, që po udhëtonin me një “Mercedes” luksoz me targa të Zvicrës, janë ndalë të enjten nga doganierët serbë në pikën kufitare në mes të Hungarisë dhe Serbisë, Horgosh.
Dogana serbe ka thënë se ka ndaluar tentimin për të futur në Serbi mbi 50 mijë franga të padeklaruara.
“Kjo shkelje devizore është zbuluar gjatë kontrollimit të Mercedesit luksoz me targa të Zvicrës, të cilin e ka drejtuar një 51-vjeçar me shtetësi të Austrisë, por i nacionalitetit shqiptar. Ai ka udhëtuar në shoqëri me një 40-vjeçar, po ashtu i nacionalitetit shqiptar, që ka pasur dokumente të Kosovës. Në pyetjen e doganierëve se a kanë diçka për të deklaruar, janë përgjigjur se me vete kanë vetëm bagazhin personal dhe gjithsej 15 mijë franga zvicerane”, ka njoftuar dogana serbe.
Më pas është bërë një kontrollim i detajuar i veturës dhe dy udhëtarëve. Sipas njoftimit doganierët kanë zbuluar se vozitësi në xhepat anësor të pantallonave mbanë mbi 60 mijë franga zvicerane e që nuk ishin deklaruar më parë.
“Te udhëtari tjetër po ashtu janë gjetur 9000 franga, kështu që doganierët ua kanë kthyer shumën e lejuar në kundërvlerë të 10 mijë eurove për person, ndërsa pjesa tjetër prej 52 mijë e 500 franga zvicerane përkohësisht është mbajtur deri në përfundim të procedurës së kundërvënies”, thuhet në njoftimin e doganës së Serbisë./GE