26-11-2024

Dragash: Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi se kishte falsifikuar patentë shoferin

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, pasi që ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë, e ka dënuar me 700 euro gjobë të akuzuarin për falsifikim të dokumentit, Xhelal Krasniqi.

Aktgjykimin ndaj tij e ka shpallur të mërkurën, gjykatësi i çështjes Bekri Vehapi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vehapi e ka obliguar të pandehurin edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të viktimave të krimit.

Prezent në seancën e së mërkurës, ka qenë përfaqësuesi i të pandehurit, avokati  Sehadin Beqiri, i cili ka deklaruar se mbetet pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë që i akuzuari e ka lidhur me Prokurorinë Themelore në Prizren.

foto per web 22.01.2020

Edhe prokurori Milot Krasniqi, ka deklaruar se mbetet pranë marrëveshjes së lidhur në mes të palëve, pasi që siç ka thënë ai, i pandehuri është njoftuar dhe i ka kuptuar të drejtat dhe detyrimet që dalin nga marrëveshja.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 5 gusht 2019, Xhelal Krasniqi, akuzohet se më 4 janar 2018, rreth orës 13:30, në vendin e quajtur Llapushnik, Komuna e Dragashit, me dije përdor dokumentin e falsifikuar si origjinal.

Në aktakuzë thuhet se derisa ndalet nga zyrtarët policorë, i njëjti ua prezanton patentë shoferin, i lëshuar gjoja nga shteti i Çekisë, i cili dokument ishte i falsifikuar.

Me ketë veprim, ai akuzohet të ketë kryer veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, e paraparë në nenin 398, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.