Dragash: Dështon mbajtja e gjykimit për lëndim trupor
Mungesa e të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor, Ymrishat dhe Nadir Gashi, ka bërë që për disa herë radhazi të dështojë gjykimi ndaj tyre.
Edhe seanca e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së dy të akuzuarve.
Gjykatësja e rastit, Sabaheta Kurteshi, ka deklaruar se të pandehurit kanë marrë ftesën në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për të akuzuarit Gashi, gjithashtu ka qenë i lëshuar edhe urdhëresa për sjellje me dhunë, mirëpo Stacioni Policor në Dragash, sipas gjykatëses Kurteshi nuk e ka zbatuar atë.
Në shqyrtimin e paraparë për të mërkurën, prezent ka qenë prokurori Shehadin Destani dhe i dëmtuari Nevzat Krasniqi.
Gjyqtarja Kurteshi, e ka lënë në fuqi urdhërarrestin, ndërkohë që seancën e radhës për ketë rast e ka caktuar më 25 mars 2020, në ora 11:00.
Në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 23 nëntor 2015, të pandehurit Nadir dhe Ymrishat Gashi, akuzohen se më 4 gusht 2015, rreth orës 09:15, në vendin e quajtur “Livadhi i madh”, ne afërsi të fshatit Brezne, në bashkëveprim i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, Nevzat Krasniqi.
Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari ishte duke ruajtur bagëtitë, Nadir Gashi e godet atë me mjete bujqësore, ndërsa Ymrishat Gashi me një shkop druri, mjete këto të përshtatshme për t’i shkaktuar atij lëndime trupore, në pjesën e kokës dhe parakrahut të majtë.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi