24-04-2024

Dragashi përballet me mungesë të gjinekologut në QKMF

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar debat me kandidatët për deputetë nga subjektet politike me temën “Qasja e subjekteve politike rreth çështjes së gjinekologut në nivel komunal”.

Adelina Hasani nga KDI ka thënë se shumë komuna të Kosovës ballafaqohen me mungesë të gjinekologut, transmeton KTV.

“Ka pas shumë raste që kanë përfunduar edhe me fatalitet kur disa gra janë detyruar të bëjnë lindje në rrugë për mungesë të gjinekologut në vendet ku jetojnë”, ka thënë Hasani.

Sipas saj, disa komuna te Kosovës si Kamenica, Kaçaniku dhe Dragashi nuk kanë fare gjinekolog në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Agim Çaka nga Nisma Social Demokrate ka thënë se QKMF-ja në Kaçanik e ka repartin e gjinekologjisë por, s’ka gjinekolog.

“Duke marrë që komuna ka rreth 33 mijë banorë dhe gratë që kanë probleme të kësaj natyre duhet të paraqiten gjithsesi në QKMF për shërbimet bazike. Në mungesë të gjinekologut në këtë komunë gratë janë të detyruara që të marrin rrugën drejt Spitalit Rajonal në Ferizaj”, ka thënë Çaka.

Sipas Arben Vitisë nga Lëvizja Vetëvendosje, mjekët gjinekologë në Kosovë janë të interesuar më se shumti që të punojnë në QKUK dhe në Spitalet Rajonale e jo në Qendra te Mjekësisë Familjare.

Ai ka thënë se duhet të organizohet debat publik, të caktohen kompetencat se çfarë shërbime mund të merren në nivel komunal dhe cilat në atë qendror.

Asnjë koment

Comments are closed.