23-10-2024

Drama familjare “Kiem Holijanda” erdhi në “DokuFest”

Filmi flet për një familje që jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë. Filmi 14 minutash shtjellon historinë e njërit nga vëllezërit, i cili aspiron të udhëtojë për në Holandë. Kësisoj “Kiem Holijanda” na prezanton me vëllezërit Andin (13 vjeç) dhe Floristin (20 vjeç) që jetojnë në një fshat të varfër e të braktisur të Kosovës bashkë me nënën e tyre, roli i së cilës i është ndarë aktores Arbnesha Grabovci-Nixha. Ata mbijetojnë duke shitur qumësht. Kur Andi zbulon një poster të një pornoylli holandeze në dhomën e tyre të gjumit, atij i duhet një telefon për ta parë. Ai është aq i obsesionuar me të, sa nuk e vëren se vëllai i tij e ka zgjedhur këtë ditë për t’i thënë lamtumirë sepse synon të shkojë në Holandë.

Kinemaja e platos në “DokuFest” mirëpriti publikun që ishte kureshtar për të parë këtë dramë familjare. Publiku kosovar pati rast të shihet një temë i preokupon shumë familje të kësaj shoqërie, kurse ai ndërkombëtar pa një perspektiv kosovare për disa probleme familjare.

Regjisorja Sarah Veltmeyer ka arritur që përmes filmit të saj t’i pasqyrojë orvatjet e rinisë kosovare në kërkim të një jete tjetër diku në Evropë. Ajo ka vendosur që emrat e vërtetë të aktorëve Andi Bajgora dhe Florist Bajgora t’i ruajë edhe si emra të personazheve, duke sjellë kështu në ekran diçka individuale të tyre. Përpos aktores së dëshmuar, Arbnesha Grabovci-Nixha, të dy vëllezërit Bajgora janë përfaqësues të një gjenerate të re aktorësh premtues të Kosovës. Kujtojmë se Andi Bajgora, ndonëse i ri në moshë ka në bagazhin e tij artistik një film që ishte i pari nga Kosova i nominuar për “Oscar”, pra filmin “Shok”. Në anën tjetër, Floristi i cili ia ka trasuar vëllait të vogël rrugën për aktrim, ka para vetes disa role të vlerësuara në filma të shkurtër e në teatër.

Filmi “Kiem Holijanda” erdhi në Kosovë pas një prezantimi të suksesshëm sivjet në edicionin e 68-të të festivalit prestigjioz “Berlinale”. Atje “Kiem Holijanda” u shpërblye me çmimin “Ariu i Kristaltë”.

Asnjë koment

Comments are closed.