Drama vazhdon: Sot dhe nesër mund të ketë arrestime të reja
Arrestimi i djeshëm i Salih Mustafës në ditët në vijim mund të shoqërohet edhe me arrestime të tjera.
Pas një dekade hetimesh intensive dje Prokuroria Speciale e Tribunalit të Hagës e ka bërë sefte, duke e realizuar arrestimin e parë, atë të Salih Mustafës, i njohur si Cali.
Prokuroria në një njoftim për shtyp ka treguar që z. Mustafa dyshohet që gjatë kohës së luftës ne një qendër të UCK’së në periferi të Prishtinës ka marrë pjesë në ndalim dhe torturë të paligjshme të civilëve. Aty dyshohet që një person e ka humbur edhe jetën. Mustafa pasluftës ka qënë i angazhuar në TMK e më vonë edhe në FSK.
Gazeta Express ka mësuar përmes burimeve të saja që tash prokuroria e Tribunalit Special nuk e ka ndërmend që të ndalet. Këto burime thonë që në ditët në vijim mund të ketë arrestime të tjera të ish ushtarëve të UCK’së, që nuk kanë pasur pozita të larta.
Dihet tash që në muajin shkurt prokuroria e këtij Tribunali i kishte dorëezuar propozim aktakuzat para gjyqtarëve, të cilët brenda gjashtë muajsh do të duhej t’i konformonin ose t’i hidhte poshtë pretendimet e prokurorëve.
Ky afat ishte përmbushur në gjysmën e muajit gusht, kurse arrestimi i fundit është pjellë e atyre propozim aktakuzave. Sigurisht që arrestimi i Calit nuk është dhe nuk mund të jetë i vetmi.
Përvec propozim aktakuzave të muajit shkurt, prokuroria i ka dorëzuar në muajin prill edhe disa propozim aktakuza të tjera, ku përfshihen krerët e UCK’së, duke përfshirë këtu presidentin e Kosovës, Hashim Thacin dhe kryetarin e PDK’së, z. Kadri Veseli. Afat i fundit për konfirmimin ose jo të këtyre aktakuzave është muaji tetor ani pse ato mund të konfirmohen edhe më herët.
Java e fundit ka qënë përplot zhvillime në raport me Tribunalin. Shoqata e Veteranëve të Luftës ka vazhduar me publikimin e disa dosjeve që kanë rrjedhur prej Tribunalit. Një person i paidentifikuar ka dërguar në seli të Shoqatës mijëra faqe të dosjeve.