Drejtorët e rinj të shkollave të Prizrenit marrin vendimet, në katër shkolla përsëritet konkursi
Disa drejtorë rinj të shkollave të komunës së Prizrenit, tashmë i kanë marrë vendimet për pozitën e re, ndërsa kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka thënë se 90 për qind të emrave të listës, me emrat e propozuar të drejtorëve e ka nënshkruar, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Pas kalimit të afatit të paraparë të ankimimit, kryetari Haskuka sot ka nënshkruar vendimet për shumicën e drejtorëve të rinj, sipas propozimit të panelit intervistues.
Konkursi ndërkaq do të përsëritet në katër shkolla.
Ndër drejtorët që tashmë kanë marrë vendimin është ai i gjimnazit “Gjon Buzuku”, ai i shfmu “Fatmir Berisha”, Ortakollit, në Gjonaj, shfmu në Krushë të Vogël, etj.
Haskuka në një bisedë për Tv Besën, ka thënë se pasi janë kryer të gjitha procedurat rreth përzgjedhjes së drejtorëve, janë kontrolluar vlerësimet e panelit, raportet e OJQ-ve, të këshillit të prindërve dhe sindikatës dhe se në 90 për qind nuk ka pasur shumë dallime sa i përket vlerësimit të kandidatëve.
Ai ka thënë se në katër shkolla, konkursi do të përsëritet, por nuk ka përmendur emrat e tyre.
“Nga sivjet ne do të bëjmë vlerësimin e drejtorëve në bazë të planit të paraqitur para komisionit, prandaj në rast të mospërmbushjes së asaj që kanë parashikuar edhe mund edhe të shkarkohen”, ka thënë Hakuka./GazetaePrizrenit.net