Drejtori i shkollës në Malishevë mohon se për organizimin e maturës, kërkoi ryshfet nga menaxheri i restorantit
Drejtori i shkollës së mesme në Malishevë “Hamdi Berisha”, Izet Hoti, ka mohuar të ketë kërkuar ryshfet nga menaxheri i restorantit “BIMI2”, Gëzim Kastrati.
Izet Hoti, akuzohet se kishte kërkuar nga menaxheri i restorantit që me rastin e organizimit të mbrëmjes së maturës, oferta për ushqim dhe pije të jetë 11 euro, kurse nxënësit të paguajnë nga 13 euro.
Lidhur me organizimin e mbrëmjes së maturës, Hoti tash po akuzohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfeti
Në seancën e së hënës është lëshuar edhe CD-ja me përgjime, të cilat janë realizuar me urdhër të gjykatës, ndaj të akuzuarit Hoti.
“Sa të jesh gjallë nxënësit ka me i pru vetëm te ju”, dëgjohet të ketë thënë i akuzuari Hoti, në këto përgjime.
Gjithashtu në video-incizim dëgjohet i akuzuari duke i thënë të dëmtuarit “Unë vitin e kaluar të bëra dallavere se nuk më ndejte ti mirë”.
Prokurori i rastit Ali Uka, pyeti të akuzuarin Hoti se çka ka menduar të thotë më fjalinë “unë vitin e kaluar të bëra dallavere se nuk më ndejte ti mirë”?
Ndërsa, Hoti ka mohuar të ketë thënë një deklarim të tillë.
Kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika, pyeti të akuzuarin nëse ka kërkuar hua ndonjëherë nga i dëmtuari Gëzim Kastrati, derisa Hoti është përgjigjur duke thënë se nuk i kujtohet t’i ketë kërkuar ndonjëherë hua.
Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Hoti, avokati Emrush Kastrati, i propozoi gjykatës që fjalën përfundimtare ta caktojë për një ditë tjetër sepse i duhet kohë.
Lidhur me propozimin e avokatit Kastrati nuk pati kundërshtim prokurori i rastit Ali Uka.
Seanca e radhës është caktuar më 23 prill 2019, në ora 13:30.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 19 tetor 2018, i akuzuari Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.
I akuzuari Izet Hoti në shqyrtimin e dytë të mbajtur më 3 dhjetor 2018, kishte paraqitur kërkesë lidhur me hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, por që ajo është hudhur poshtë nga kjo gjykatë.
Ndërsa, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe e ka refuzuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit Izet Hoti, avokatit Emrush Kastrati, si të pabazuar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Izet Hoti, akuzohet se më 2 maj 2018, si drejtor i shkollës së mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka kërkuar ryshfet në shumë prej 1.500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, Gëzim Kastrati, për organizimin e mbrëmjes së maturës në po këtë restorant.
Në aktakuzë thuhet se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, mirëpo i pandehuri ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë shumën në 13 euro, ashtu që shumën e mbetur ta merr për vete, e që një gjë e tillë është provuar në bazë të dëgjimeve telefonike të kryera nga ana e policisë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. /Betimipërdrejtësi