27-04-2024

Drejtoria e Arsimit pezullon konkursin për mësimdhënës në Prizren

Pezullohet konkursi për mësimdhënës në Prizren i shpallur  më 04 nëntor 2019.

Kështu ka njoftuar Drejtoria e Arsimit në Prizren, përmes ueb faqes së Komunës, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Në njoftimin e nënshkruar nga drejtoresha e DKA, Xhemile Thaçi-Vezgishi thuhet se një vendim i tillë merret pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren.

Konkursi thuhet se pezullohet deri në një vendim tjetër nga organet gjyqësore.

Ndonëse njoftimi jepet nga DKA, konkursi thuhet se ishte shpallur nga Zyra e Personelit e Komunës së Prizrenit.

Në fakt konkursi i përfolur i Komunës së Prizrenit për mësimdhënësit,  paraprakisht është pezulluar nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

Gjykatë ka caktuar masën e përkohshme të sigurimit për këtë konkurs në bazë të propozimit të kandidatëve që janë përzgjedhur si më të suksesshëm në konkursin e ngjashëm të zhvilluar gjatë verës së këtij viti.

Pak ditë më parë, DKA pati publikuar listën e kandidatëve adekuatë që të vazhdojnë procedurën në konkursin e datës 4 nëntor 2019.

Në anën tjetër, një javë më parë, grupi i mësimdhënësve që ishin përzgjedhur në bazë të konkursit të zhvilluar nga DKA-ja në verë të këtij viti përmes një letre të hapur kanë kërkuar që të fillojnë punën në ato vende ku kanë fituar me konkurs.

Asnjë koment

Comments are closed.