Drejtuesi i InfraKos-it: Nuk ndikova në vlerësimin e dëmit të Hekurudhës në Prizren
Në emisionin e javës së kaluar, “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin për dëmin milionësh që i është shkaktuar linjës hekurudhore Klinë- Prizren nga ana e bizneseve të shumta të cilët operojnë në atë zonë.
Për këtë dëm Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë në dhjetor të vitit të kaluar ndaj shtatë personave: Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj – ish-Drejtor të Urbanizmit, Bujar Nerjovaj ish-Drejtor i Inspeksionit, Bashkim Krasniqit, inspektor, Kryeshefit të “InfraKos”, Agron Thaçit dhe menaxherit të patundshmërive Naim Avdyli.
Të shtatë personat akuzohen se i kanë shkaktuar dëme “InfraKos”-it, shuma e këtyre dëmeve arrin në 104,674.00 euro.
KALLXO.com ka pranuar përgjigje nga ana e Kryeshefit të “InfraKos”-it, Agron Thaçi, pyetjet që i janë dërguar javën e kaluar.
Në emisionin e së premtes, “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se prokurori i rastit Genc Nixha, asnjëherë nuk e kishte ditur se një vlerësim i detajuar nga ana e Drejtorisë së Mirëmbajtjes në “InfraKos” ekzistonte, madje ai pretendonte se një dokument i tillë do të duhej të dorëzohej në prokurori.
Kryeshefi i “InfraKos”, Agron Thaçi, ka shpjeguar se si është bërë vlerësimi.
“Kërkesa e prokurorit përmes zyrtarit ligjor të ndërmarrjes ka qenë që të llogaritet vlera e dëmeve fizike të shkaktuara në segmentin hekurudhor K. K. Prizren. Pra, linja nuk është përdorur asnjëherë për nevoja të tranpsortit, pas luftës, meqënëse nuk kishte pasur asnjë kërkesë (këto janë informata nga stafi teknik dhe operativ). Si rrjedhojë e mos përdorimit, linja ka qenë cak i uzurpimeve dhe vjedhjeve. Për këto veprime vazhdimisht Hekurudha ka kërkuar me shkrim marrjen e masave, nga Komuna dhe Drejtoritë përkatëse, Stacioni Policor në Prizren, por nuk kemi hasur në mbështetje”, ka thënë Thaçi për KALLXO.com.
Ai ka shtuar se vlera e llogaritur sipas stafit profesional të ndërmarrjes është reale.
“Meqë kemi të bëjmë me vjedhje të materialit të linjave, ku të gjitha rastet janë lajmëruar me kohë në Polici. Ky dëmtim nga vjedhjet është bërë nga viti 2004, e në vazhdimësi”, shtoi ai.
KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Thaçit të dijë se pse nuk janë kërkuar edhe dëmet e tjera, por vetëm dëmet në binarët e hekurudhave.
“Dëmet e shkaktuara nga shfrytezimi i paligjshëm i pronës/uzurpimet dhe dëme të tjera në pronë, janë llogaritur dhe adresuar në vazhdimësi, ku deri më tani në lidhje me këtë janë inicuar në gjykata kompetente rreth 90 raste të padive cilvile dhe kallëzime penale, në vlerë të dëmit prej rreth 270,000.00 €. Pra, kjo vlerë është subjekt i gjykatave, që janë duke u shqyrtuar në procedurë”, tha tutje Thaçi.
Ai shtoi se vlera prej 105 mijë eurove është kalkuluar si dëm i shkaktuar nga palët e treta, nga vjedhja dhe nevoja e pastrimit të hekurudhës dhe rregullimin e gjeometrisë së binarëve.
“Pra, kërkesa ka qenë sa është kostoja e riparimit të dëmtimeve në Komunën e Prizrenit nga mos funksionimi i linjës për këtë periudhë nga viti 2004 e deri më tani”, tha ai tutje.
Thaçi mohon të ketë ndikuar në vlerësim të dëmit, ani pse i njëjti është i akuzuar në të njëjtin rast.
“Jo, cila do të kishte qenë arsyeja e ndikimit në këtë vlerësim. Unë nuk kam qenë Kryeshef nga viti 2004, kur ka filluar dëmtimi. Në cilësi të kryeshefit nga viti 2012, menjëherë kam ndërmarrë veprimet ligjore sipas ligjit dhe kam arritur ta fitoj kontestin me gjykatë, ta ndal dëmtimin dhe përfundimisht kam arritur ta ruaj linjën për qendër të qytetit, ku me Plan Zhvillimor Urban të vitit 2004 miratuar në K.K. Prizren ishte paraparë të dislokohet nga qendra dhe të devijohet në Landovicë. Po ashtu, edhe me Plan rregullues Urban dhe Komunal ishte vendosur e njëjta gjë, dislokimi. Tani, pasi e kemi fituar rastin në gjykatë në vitin 2017, linja hekurudhore përfundimisht ka mbetur në pozitën që ka aktualisht. Dhe ky është rezultati i ndërmarrjes “InfraKos”. Akuzat, pastaj janë me motivacione nga më të ndryshmet dhe besoj ta kuptoni”, shtoi ai.
Thaçi përsëriti se vlerësimi është bërë nga ekspertë të brendshëm të cilët njohin rrethanat dhe fushën.
“Për sqarim shtesë, dalja nga përdorimi i linjës është bërë kryesisht për shkak të vjetërsisë dhe eksploatimit të linjës, pasi që sipas normave teknike të hekurudhës afati i jetëgjatësisë së linjës është rreth 25 vite, ndërsa linja ekzistuese është në përdorim që nga vitit 1963, pra afërsisht 57 vite. Pa asnjë riparim kapital, pra që ishte dashur të bëhet pas 25 vite jetëgjatësi. Andaj, duke marrë parasysh këto aspekte teknike, çfarë llogarie tjetër kërkoni dhe nga kush? Pra, linja është e amortizuar tërësisht”, shtoi ai.
Ai shtoi se askush s`ka pasur nevojë të ndikoj në vlerësim pasi që linja është e amortizuar tërësisht.
“Ndërsa, për më tepër ne as që kemi menduar e pritur se ndaj nesh mund të ngritet aktakuzë, pasi që ne jemi pala që kemi paditur komunën e Prizrenit për mos mbështetjen e ndërmarrjes në ruajtjen e pronës në Prizren”, tha ai.
Thaçi në fund të përgjigjes së tij tha se kanë parandaluar që Hekurudha të mos dislokohet nga vija ekzistuese që shpie në qendër të Prizrenit.
“E kemi pastruar nga uzurpatorët së bashku me qeverisjen komunale, nuk kemi ndërtime në pronën e “InfraKos” si dhe kemi ruajtur shpresën e lëvizjes së trenit në qendër të Prizrenit. Normalisht nevojitet një investim i caktuar kapital, për ç’gjë kemi bërë kërkesa me vite të tëra në Qeverinë e Kosovës”, përfundon përgjigja e Thaçit.
Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” ka zbardhur kurthet që zhvillohen për t’i dështuar lëndët e korrupsionit.
Dosja ka treguar se aktakuza ndaj shtatë personave ka prova të mangëta pasi dëmi prej mbi 1 milion euro është zvogëluar në 100 mijë euro. Një veprim i tillë do mundësonte që në gjykatë të akuzuarit ta kenë më të lehtë veprën.