12-10-2024

Prizren; Ish-inspektori thotë se dy drejtorë komunalë e penguan atë që të inicionte rrënimin e objektit pa leje

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Enver Bytyqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bytyqi, akuzohet se ka shkelur Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, i akuzuari Bytyqi, ka deklaruar se ai në cilësinë e inspektorit ka qenë i penguar nga stafi i Komunës së Prizrenit që të iniciojë procedurë për rrënimin e objektit nga kati përdhese deri në katin e shtatë.

Ai tha se konkretisht ka qenë i penguar nga drejtori i Urbanizmit dhe ai Inspektorateve në këtë komunë, Njazi Kryeziu dhe Bedri Bytyqi.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues nëse ka qenë i vetëdijshëm për pasojat eventuale për mos veprimet e tij në rastin konkret, i akuzuari është përgjigjur duke thënë se nuk ka qenë i vetëdijshëm për arsye se nuk ka pas asnjë vërejtje nga menaxheri, i cili e ka udhëheq Drejtorinë e Inspektorateve  dhe se ka pas premtime nga drejtori që investitori do të pajiset me leje.

Sipas tij, proceduara e ndërtimit ka filluar në vitin 2011, ndërsa edhe pse objekti nuk kishte leje që nga fillimi, konkluzioni për rrënim është marrë në vitin 2017.

Ai ka deklaruar se për të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë në lidhje më objektin e investitorit “Shigjeta e Pashtrikut”, e ka njoftuar drejtorin e Inspektorateve në atë kohë, Bedri Bytyqin.

Në pyetjen e prokurorit Mehdi Sefa, nëse është e vërtetë se për shtatë katet e para, investitori nuk ka pasur leje për ndërtim dhe nëse ai ka marr aktvendim për rrëzim vullnetar, i akuzuari tha se janë zhvilluar të gjitha procedurat e parapara, mirëpo nuk është marrë aktvendim për rrënim vullnetar.

Faktin se nuk janë rrënuar shtatë katet e para të objektit në fjalë, i akuzuari e ka arsyetuar me ndjeshmërinë e rastit, sepse sipas tij, komuna ka qenë në marrëveshje me investitorin që nga ky objekt të përfitonte 14 banesa për familjet skamnore dhe familjet e dëshmorëve.

Në fund, për shkak të kërkesës së palës mbrojtëse për mos vazhdim të shqyrtimit me fjalën përfundimtare, trupi gjykues me kryetare Raima Elezin, ka marr vendim që seanca e radhës të mbahet më 03 prill 2020, në ora 10:00.

Në seancën e kaluar ka dhënë deklaratën e tij si dëshmitar, Nijazi Kryeziu, i cili në kohën kur ka ndodhur vepra penale, ka qenë drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor.

Ndërsa, si dëshmitarë në këtë çështje penale është paraqitur edhe ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

Për këtë rast, ishte i akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me shtatëmijë euro gjobë.

Prokuroria Themelore Prizren, për këtë rast ka ngritur aktakuzë, më 19 prill 2019, ndaj të pandehurit Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Feim Hamiti. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.