19-11-2026

Ky është i dyshuari që u ekstradua nga Kosova në SHBA për krime kibernetike

Një shtetas i Kosovës është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për vepra penale që ndërlidhen me krimet kibernetike.

Burimet e IndeksOnline kanë bërë të ditur se personi i ekstraduar është Hekuran Avdyli.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar sot nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë.

I dyshuari kërkohej nga institucionet e drejtësisë amerikane, ndërsa dorëzimi i tij tek autoritetet e SHBA-së është bërë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Ai iu dorëzua njësisë amerikane U.S. Marshals, e cila ishte përgjegjëse për marrjen në dorëzim të tij.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për kapjen e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.

Asnjë koment

Comments are closed.