Dumoshi për zhvendosjen në Prizren: Po analizohen hapat e mëtejmë
Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast Dumoshi paralajmëroi se do të përkrahin shumë projekte për Prizrenin dhe lavdëroi këtë qytet për diversitetin kulturor.
“Sot jam e lumtur që nënshkruam këtë memorandum i cili është shumë i rëndësishëm për atë pjesë. Prizreni është qyteti më i bukur dhe tregon diversitetin kulturorë. Ministria e Kulturës ka diku 18 projekte të cilat janë duke u realizuar”.
“Ne jemi në përfundim të marrëveshjes me komunën për muzeun e filigranit. Është këtu edhe ministrja që ka bërë një punë të jashtëzakonshme për Prizrenin. Do të shohim që të fusim në buxhetin e vitit 2021 të fusim edhe një sallë sportive”.
Dumoshi premtoi edhe mbështetje për festivalet që mbahen në Prizren. Ndërsa lidhur me zhvendosjen e disa departamenteve të ministrisë në Prizren, tha se do të shohin për hapat e mëtejmë.
“Ne jemi në Prishtinë, Prizreni identifikohet si qytet me traditë, por këtu i kemi zyrtarët e ministrisë të cilët punojnë në zyrën që u hap si ministri, ne nuk e kemi menduar po vazhdojmë në Prishtinë, por do të shohim cilat do të jenë hapat”.
Për këtë çështje foli edhe kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka tha se për këtë çështje i mbetet ministrisë të vendosë.
“Gjithmonë ka qenë që disa departamenteve kalojnë në Prizren, por prej 2018, 2019 nuk ka pas lëvizje kanë qenë kontrata mbi vepër që as ne as ata se kanë ditë çka po bëjnë, ne jemi të interesuar por që kjo mbetet në vendimin e ministrisë dhe Qeverisë”.
Më tej ai tha se me ministren diskutuan e për shumë projekte që po realizohen në këtë komunë.
“Ne kemi shumë projekte me MKRS-në po sot e kemi projektin ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiric, ky projekt do të implementohet në vitin 2020, janë realisht projekte të vogla nëpër fshatra, por me rëndësi”.
“Sot pos kësaj marrëveshje e diskutuam për mbarëvajtjen e projekteve të tjera, pas kësaj do të dalim në teren ku do të zhvillohen projekte. E falënderoj zonjën Dumoshi për mbështetjen”.
Në këtë vizitë po merr pjesë edhe ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal Emilia Rexhepi.
Më pas ajo do të vazhdoj vizitën te fusha sportive në fshatin Lubinjë e Epërme, te poligoni sportiv në Mushikovë, te pishina olimpike si dhe vizitë stadiumit “Përparim Thaçi”.