Dy arinj të vegjël filmohen në rrugët e Lubizhdës në Prizren (VIDEO)

Dy arinj të vegjël kanë zbritur në qendër të fshatit Lubizhdë të Prizrenit. Këto kafshë të egra janë parë nga banorët lokalë e janë filmuar nga ta.

Sipas kryetarit të fshatit, Nehat Vehapi, pos pandemisë dhe pranisë së qenve endacakë, këtij vendbanimi po i shtohet edhe një problem i ri.

“Përpos asaj frike që është kriju në popullatë prej koronavirusit, prej qenve endacakë, po na shtohet edhe një problem i kësaj natyre, ku rrugëve të fshatit Lubizhdë kanë bredhur dy arinj të vegjël, të cilët janë incizuar me telefon nga kalimtarët e rastit në orët e mbrëmjes”, ka thënë Nehat Vehapi, kryetar i fshatit Lubizhdë, raporton KOHA.

Ai ka pohuar se në orët e mbrëmjes fshati duket i boshatisur pasi që banorët respektojnë masat për kufizimin e lëvizjes në kohë pandemie.

“Normalisht që ka një shqetësim, një brengosje, për një vizitë kaq të çuditshme dhe të papritur. Mirëpo, shpresoj se këta vizitorë nuk do të vijnë më në Lubizhdë”, ka shtuar ai.

Në të njëjtën kohë, ka pohuar se komiteti lokal për siguri nuk ka pranuar informata për ndonjë dëm eventual nga kafshët e egra.

“Vizita të tilla kemi pasur në lagjet periferike, por deri më tash nuk kemi rastisur që arinjtë të vijnë në vetë qendrën e Lubizhdës”, ka vazhduar Vehapi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj, përmes telefonit ka bërë të ditur se organet e rendit të martën rreth orës 23 e 20 minuta janë informuar nga qytetarët lidhur me lëvizjen e dy arushave të vogla në afërsi të Xhamisë së re në fshatin Lubizhdë, por njësitet policore nuk kanë vërejtur ndonjë dëm në atë zonë.

“Njësitë patrulluese kanë vëzhguar terrenin në atë pjesë dhe nuk kanë vërejtur diçka, duke qenë se arinjtë janë larguar, si dhe nuk është raportuar për ndonjë dëm në atë zonë”, ka thënë Shaban Osmanollaj, zëdhënës i Policisë rajonale të Prizrenit.