Dy automjete u raportuan si të vjedhura në rajonin e Prizrenit, policia jep detaje
Më 16 nëntor janë raportuar dy raste të automjeteve të vjedhura.
Rasti i parë është raportuar më 16 nëntor, rreth orës 10:50, nga pronari i një autoservisi në fshatin Reshtan të Suharekës.

Ankuesi ka njoftuar policinë se persona të panjohur kanë vjedhur një automjet të tipit Fiat Doblo, pronë e një klienti, i cili ndodhej në autoservis për riparim.
Menjëherë pas raportimit, policia ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore për lokalizimin e automjetit dhe identifikimin e kryerësve të mundshëm.

Dje, hetuesit kanë pranuar informacione se automjeti gjendej pranë hyrje-daljes së autostradës, në fshatin Duhël.
Automjeti është gjetur dhe sekuestruar përkohësisht për procedura ekzaminuese, ndërsa pas përfundimit të tyre do t’i kthehet pronarit. Hetuesit e stacionit policor në Suharekë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Rasti i dytë është raportuar më 16 nëntor, rreth orës 10:35.
Pronari i një automjeti të markës Mitsubishi ka njoftuar policinë se kishte vërejtur mungesën e automjetit të tij nga vendi ku e kishte parkuar në lagjen Dardania në Prizren. Ankuesi ka deklaruar se automjeti i ishte marrë nga persona të panjohur.

Hetuesit e stacionit policor Prizren-Veri kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Më 17 nëntor, rreth orës 09:00, është arritur të identifikohet personi i dyshuar.
I njëjti, pas shoqërimit në polici, është intervistuar dhe ka deklaruar se punon si agjent për sigurimin e automjeteve. Sipas deklaratës së tij, në bazë të një marrëveshjeje me një klient lidhur me regjistrimin e një automjeti, ai kishte ngatërruar automjetet dhe kishte marrë gabimisht automjetin e ankuesit, pasi të dy ishin të modelit të njëjtë.
Pas sqarimit të rrethanave, automjeti është kthyer tek pronari në gjendje të rregullt. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe lënda është proceduar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës deklaron se mbetet e përkushtuar në trajtimin serioz të çdo raportimi apo ankese të qytetarëve. Çdo rast trajtohet me profesionalizëm dhe prioritet deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, ashtu siç është vepruar edhe në këto dy raste.
