24-11-2024

Dy ish-drejtorë të komunës së Prizrenit dënohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, është shpallur aktgjykim dënues ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të akuzuar për korrupsion në kohën sa ishin drejtorë të Drejtorisë së Financave në Komunën e Prizrenit.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, në shpallje të aktgjykimit deklaroi se dy të akuzuarit janë gjetur fajtor dhe dënohen me nga 6 muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit në afatin e verifikimit prej një viti nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, të akuzuarit obligohen që në mënyrë solidare t’i paguajnë shpenzimet procedurale në shumën prej 600 euro, ekspertizën financiare në shumën prej 120 euro, si dhe nga 50 euro secili për programin për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2015, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.

image0 (18)

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ahmetaj, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Ahmetaj gjatë periudhës kohore 25 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 20 janar 2015, deri me 31 dhjetor 2015, me TV “Besa”, kishte lidhur kontratë prej 300 euro në muaj, që për 12 muaj arrin shumën 3600 euro, si dhe për të njëjtën periudhë dhe me shumë të njëjtë, kishte lidhur kontratë edhe me TV “Prizrenin”, ku për të tre televizionet arrin shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Ertan Simitqiu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Simitqi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën  Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se Simitqi gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 e deri me 31 dhjetor 2016 kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë, kishte lidhur kontratat edhe me TV “Besa” dhe TV “Prizreni”, ku për të tre televizionet arrinte shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, më 25 maj të vitit 2018, ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.