Vrasja e 15-vjeçarit në Prizren, nesër protestohet dhe bojkotohet mësimi

Një 15-vjeçar ka vdekur sot si pasojë e therjes me thikë nga një bashkëmoshatar. Për këtë rast, mëngjesin e së martës në Prizren do të organizohet një protestë dhe do të bojkotohet për dy orë mësimi nëpër shkolla.Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Facebook nga “Lagja Bajram Curri” në Prizren.

“Pas rastit tragjik qe ka ndodhur ne afërsi te shkollave, ku një i moshës 15-vjeçare ka humbur jetën, Kërkojmë bashkëpunim te drejtorëve te shkollave qe Nesër me datë 19.01.2021 të bëhet një protestë lidhur me neglizhencën e instucioneve siç është Policia, protesta do fillon nga orët e para të mëngjesit duke vazhduar me 2 orë bojkot të mësimit, fillimisht ju ftojmë te gjithë prindërve qe nesër te dilni në mëngjes ne orët e para duke filluar qysh nga ora 08:00 sepse raste te tilla nuk duhet përsëritur!”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, rasti tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Ylber Fanaj” në Prizren.

Nga Policia e Prizrenit kanë thënë se viktima L.B. është 15-vjeçar, ndërkaq edhe i dyshuari është i po të njëjtës moshë.

Në stacionin policor në Prizren janë duke u intervistuar i dyshuari dhe dëshmitarët që kanë qenë në vendngjarje në momentin kritik.

“Pas një përleshjeje ndërmjet pesë personave të mitur, njëri nga të miturit i dyshimtë e ka goditur viktimën L.B. me mjet të mprehtë, përkatësisht thikë, duke i shkaktuar lëndime serioze, për pasojë viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, është bërë e ditur se përveç Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori i shtetit dhe forenzika.

Me urdhër të prokurorit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.