25-04-2024

Dy ish-drejtorët në Prizren mohojnë fajësinë për lidhjen e kontratave të kundërligjshme me televizionet lokale

Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, Zenel Ahmetaj, si dhe ish-drejtori i kësaj drejtorie, Ertan Simitqi, të hënën, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.Ata akuzohen se kanë lidhur kontrata të kundërligjshme me televizionet lokale, TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, me ç’rast Komunës së Prizrenit i kanë shkaktuar dëm prej mbi 22 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, të akuzuarit kanë thënë se nuk e ndiejnë veten fajtorë për veprën penale me të cilën ngarkohen.

Para fillimit të shqyrtimit fillestar, prokurori Sefaj, ka propozuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, duke thënë se për të njëjtën çështje është gjykuar edhe një zyrtar tjetër komunal dhe është dënuar me kusht.“Meqë kemi të bëjmë me të njëjtën çështje, të shkojmë me marrëveshje për pranimin e fajësisë ku dënimi i rekomanduar i prokurorisë kishte me qenë dënimi që është i vërtetuar nga Gjykata e Apeli”, ka thënë prokurori Sefaj.Mirëpo një propozim i tillë është kundërshtuar nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Pjetër Përgjokaj dhe Durim Nevzati.
Mbrojtësi i të akuzuarit Zenel Ahmetaj, avokati Përgjokaj ka thënë se është konsultuar me të mbrojturin e tij dhe se tani për tani nuk është i interesuar që të negociohet me prokurorin lidhur me arritjen eventuale të ndonjë marrëveshje për pranimin e fajësisë.Të njëjtën ka deklaruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ertan Simitqi, avokati Nevzati, i cili ka thënë se pas konsultimeve me të mbrojturin e tij, ai tani për tani nuk është i interesuar për ndonjë marrëveshje për pranim fajësie.
Gjykatësja Ajser Skenderi i ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e provave si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.Kurse, seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar të mbahet më 21 tetor 2019, në ora 09:30.Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2015, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion, TV Besa, dhe TV Prizreni.Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ahmetaj, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Ahmetaj gjatë periudhës kohore 25 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 300 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 20 janar 2015, deri me 31 dhjetor 2015, me TV Besa, kishte lidhur kontratë prej 300 euro në muaj, që për 12 muaj arrin shumën 3600 euro, si dhe për të njëjtën periudhë dhe me shumë të njëjtë, kishte lidhur kontratë edhe me TV Prizrenin, ku për të tre televizionet arrin shuma prej 11.800 euro në vit.Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas aktakuzës, Ertan Simitqiu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit në Drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion, TV Besa, dhe TV Prizreni.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Simitqi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën Prizrenit.
Në aktakuzë thuhet se Simitqiu gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 e deri me 31 dhjetor 2016 kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 300 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë, kishte lidhur kontratat edhe me TV Besa dhe TV Prizreni, ku për të tre televizionet arrinte shuma prej 11.800 euro në vit.Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, më 25 maj të vitit 2018, ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.Ai akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të administratës komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.