01-10-2026

Dy kosovarë arrestohen në Gjermani, dyshohen për zjarrvënie dhe tentativë vrasjeje

Dy shtetas të Kosovës, 58 dhe 37 vjeç, janë arrestuar në Gjermani dhe ndodhen në paraburgim, nën dyshimin se janë përfshirë në dy raste të rënda zjarrvënieje në ndërtesa banimi. Në njërin prej rasteve, autoritetet po hetojnë edhe dyshimin për tentativë vrasjeje.

Sipas Policisë së Ludwigsburgut dhe Prokurorisë së Stuttgartit, hetimet kanë lidhur dy burrat me dy raste të ndara, të ndodhura në nëntor të vitit 2025 dhe mars të vitit 2026.

Rasti i parë ka ndodhur më 11 nëntor 2025, në një apartament në katin përdhes të një ndërtese shumëfamiljare në Brunnenstraße, në Böblingen. Sipas hetuesve, një shpërthim i fortë i shkaktuar nga zjarri bëri që banorët të kuptonin se kishte rënë zjarr dhe të largoheshin nga ndërtesa.

Hetimet e mëtejshme përqendruan dyshimet te 58-vjeçari nga Kosova, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në zjarrvënien e banesës.

Më pas, hetimi çoi edhe te një 37-vjeçar, po ashtu shtetas i Kosovës. Autoritetet dyshojnë se 58-vjeçari e kishte angazhuar atë kundrejt pagesës për t’i vënë flakën një shtëpie në Jägerholzweg, në Weil im Schönbuch, më 29 mars 2026.

Në momentin e zjarrit, në shtëpi ndodhej një grua 86-vjeçare. Ajo u alarmua nga detektori i tymit dhe arriti të largohej nga banesa pa pësuar lëndime.

Për shkak të rrethanave të rastit dhe faktit se gruaja ndodhej brenda banesës kur ajo u përfshi nga zjarri, autoritetet e kanë klasifikuar rastin edhe si dyshim për tentativë vrasjeje.


Pas hetimeve të përbashkëta me Inspektoratin e Policisë Kriminale të Kielit, të dyshuarit u arrestuan në fillim të shtatorit.

Më 3 dhe 4 shtator 2026, ata u paraqitën para një gjyqtari në Gjykatën e Qarkut të Stuttgartit, me kërkesë të Prokurorisë së Stuttgartit.

Gjykata lëshoi urdhër-arreste ndaj të dyve për dyshimin e bazuar për zjarrvënie të rëndë dhe tentativë vrasjeje, ndërsa ata u dërguan në institucionet e paraburgimit.

Hetimet për rrethanat dhe motivin e mundshëm të rasteve janë ende në vazhdim.

Të dy shtetasit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.

Asnjë koment

Comments are closed.