23-11-2024

Dy të rinj nga Hasi humbën jetën brenda muajit në aksidente trafiku

Sot, pasdite në Lagjen e Shehut (Demjan) të Hasit është varrosur 23-vjeçari, Beslind Haki Krasniqi, që humbi jetën në aksidentin fatal,  mbrëmë rreth orës 21:00, afër fshatit Celinë, në magjistralen Prizren-Gjakovë.

Kjo është viktima e dytë nga rajoni i Hasit që humbi jetën brenda një muaji, në aksident trafiku, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Derisa ende është e freskët dhembja për 45-vjeçarin, Beg Morina nga Kushnini, që në fund të shkurtit vdiq si pasojë e një aksidenti afër Budapestit të Hungarisë, hasjanët morën edhe një lajm të hidhur, për vdekje të kësaj mënyre.

Karakteristikë tjetër është se sipas policisë hungareze dhe asaj të Gjakovës, në të dyja rastet shkak i aksidenteve ishte shpejtësia e madhe.

Sipas policisë, në rastin e aksidentit në Celinë shpejtësia ishte aq e madhe sa vetura e viktimës Krasniqi është këputur përgjysmë.

Koincidencë është se të dyja aksidentet kanë ndodhur në orët e mbrëmjes, ndërsa fshatrat e të dyja viktimave: Kushnini e Lagja e Shehut janë fqinje, e madje edhe ngjit me njëra tjetrën, në aksin rrugor Gjonaj-Bistrazhin. Derisa i pari shënon fundin e fshatrave të Hasit të Prizrenit, Lagja e Shehut nis fillimin e atyre të këtij rajoni, që i takon pjesës administrative të Gjakovës.

Familjet në Has edhe ashtu janë të përmallshme pasi shumica e djemve të tyre ndodhen në kurbet dhe rastet e tilla shtojnë emocionet e dhembjen e tyre.

Referuar psikologëve, për shkak të aksidenteve familjarët vuajnë nga çrregullime ankthi dhe kanë simptoma depresive, ndërsa viktimat e aksidentit me stres mendor më shpesh preken nga pasojat emocionale përfshirë edhe traumat.

Për këtë, humbja e dy të rinjve, brenda një harku të shkurtër kohor, sikurse edhe dëmet materiale, duhet të jetë një sinjal për vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve. Këtë disa herë e ka kërkuar edhe policia./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.