E dhimbshme: E zë dollapi i shkollës, vdes 9 vjeçari shqiptar
Një djalosh nëntë vjeçar ka vdekur pasi i ra një dollap sipër në një shkollë në Essex, Angli.
Ngjarja ndodhi të enjten mbrëma në një klub noti në Shkollën Great Baddow në Chelmsford.
Leo Latifi, i cili nuk ishte nxënës i kësaj shkolle, u dërgua në spital ku më vonë vdiq.
Mësuesi kujdestar i Shkollës Fillore St Michael nderoi nxënësin e saj të klasës së 4-të, i cili tha se ishte një “shkëndijë në shkollën tonë”, raporton BBC.
Policia e Essexit tha se Leo ishte me anëtarët e familjes kur u rrëzua nga një dollap i cili më pas i ra sipër.
Maria Rumsey, mësuese në St Michael, tha se stafi, prindërit, guvernatorët dhe nxënësit ishin “të tronditur dhe tepër të pikëlluar” nga vdekja e Leos.
“Ai do të na mungojë shumë të gjithëve. Dëshirojmë t’i shprehim ngushëllime të gjithë familjes dhe miqve të Leos në këtë kohë të trishtuar. Leo ishte një shkëndijë në shkollën tonë. Fytyra e tij e ndriçonte klasën dhe sytë e tij të kaltër na bënin të gjithëve të buzëqeshnim. Ai ishte një shkencëtar në ardhje, i cili vetëm të mërkurën ishte në elementin e tij duke gjuajtur për insekte në oborrin e shkollës. Leo ishte gjithmonë i etur për të ndarë modelet e tij të krijuara vetë dhe mahniti klasën kur ai solli kryeveprat e përfunduara. Ai kishte një rrjet të gjerë miqsh në shkollë dhe të gjithëve do u mungojë shumë”, tha ajo.
Shkolla e Mesme Great Baddow ishte e mbyllur të premten përveçse për nxënësit që kishin provime.
“Mendimet dhe lutjet e të gjithëve në Shkollën e Mesme Great Baddow janë me familjen dhe miqtë e fëmijës që vdiq dje në mbrëmje, me shkollën e tij dhe me klubin e notit”, tha mësuesja Carrie Lynch.
Ekzekutivi i Shëndetit dhe Sigurisë tha se po hetonte bashkë me Policinë e Essexit dhe kishte qenë në vend të ngjarjes.