Ekipet e rajonit të Prizren, Liria në futboll dhe ekipi i femrave në basket Bashkimi, sot do t’i zhvillojnë ndeshjet si vendas, ndërsa Ballkani do të jetë mysafirë në Prishtinë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në stadiumin e Prizrenit “Përparim Thaçi”, sot në orën 13:30 ekipi prizrenas Liria zhvillon ndeshjen ndaj Drenicës, në kuadër të Javës 22, të Ipko Superligës së Kosovës.
Me këtë rast do të shihet nëse Liria do të vazhdojë trendin e fitoreve, që nisi javën e kaluar si mysafire në Mitrovicë.
Ndërkaq, në kuadër të kësaj jave skuadra e Ballkanit të Therandës (ish-Suhareka) luan në Prishtinë kundër Flamurtarit. Ndeshja zhvillohet në stadiumin ”Fadil Vokrri” në ora 17:00.
Një ndeshje tjetër, por në basket do të zhvillohet sot në Prizren. Nga ora 14:00 ekipi i Bashkimit (femrat) luanë kundër Dritës, në kuadër të xhiros 13-të të Ligës së Femrave.
Përfaqësuesit e ekipit kanë kërkuar përkrahje, përmes profilit zyrtar të ekipit: “Dilni mos e leni pa dal sepse kemi nevojë për përkrahje…” kanë shkruar ata.
Në anën tjetër, sot në Prizren do të ketë edhe një aktivitet sportiv. Në kuadër të shënimit të përvjetorit të Betejës së Jeshkovës, në Qendrën e Sporteve “Andrra” zhvillohet turneu i futbollit të vogël. Gara është paraparë të nis nga ora 9:00, ndërsa zgjat deri në orën 17 e 30 kur parashihet të organizohet ndarja e shpërblimeve për më të mirët. /GazetaePrizrenit.net/