25-02-2021

E kaluara e vështirë e bën Rexhbeçajn më të fortë

Elvis Rexhbeçaj po kompleton ndeshjet për skuadrën e Koelnit dhe po e rrit vlerën si futbollist në Bundesligë. Ai ka kompletuar katër ndeshjet e fundit të kampionatit gjerman, ndërsa kishte shkëlqyer në derbin ndaj Borussia Moenchengladbachut duke shënuar dy gola në fitoren 2:1.

Rexhbeçaj, 23-vjeçar, është i huazuar te Koelni nga Wolfsburgu. Në Gjermani po vlerësohen tiparet e këtij mesfushori qendror.

Rexhbeçaj ka thënë se fundmi se shumë prej tipareve i ka nga e kaluara e vështirë e familjes së tij. E kaluara i mundëson atij që të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të ketë forcën e duhur për të përballur presionin e karrierës si profesionist. Edhe modestinë dhe optimizmin ia ka atribuuar të kaluarës.

Sajti zyrtar i Koelnit ka komentuar se Rexhbeçaj dhe familja e tij kanë kaluar periudha të vështira. Ata kanë pasur fatin e shumë njerëzve që për shkak të luftërave dhe konflikteve është dashur të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Prindërit e futbollistit, Rexh dhe Naile Rexhbeçaj, në fund të viteve nëntëdhjetë morën vendimin e vështirë për t’u larguar nga Kosova dhe për t’u vendosur në Gjermani.

Djali i madh i tyre, Blendardi, i kishte tre vjet, ndërsa Elvisi dy vjet. Nëna e tyre ishte shtatzënë atë kohë. Elvisi e ka treguar shumë herë rrëfimin e udhëtimit për në Gjermani. Pyetjet për të kaluarën e familjes së tij nuk e shqetësojnë Rexhbeçajn.

“Nuk më mërzit që ta tregoj këtë ngjarje edhe një herë. Është pjesë e historisë familjare dhe një rrugëtim jashtëzakonisht formues prej të cilit marrim shumë forcë. Mund të imagjinoj që Luka Modriq dhe Edin Xheko pyeten shpesh për origjinën e tyre dhe fatin e familjes së tyre”, ka thënë mesfushori.

Largimi nga Kosova e dërgoi familjen Rexhbeçaj në Brandenburg, rreth 30 kilometra larg Berlinit. Prindërit e lojtarit të Bundesligës nuk dinin gjermanisht apo anglisht. Rrjedhimisht kishin telashe për të gjetur veten në fillim. Por me zell dhe përkushtim Rexha gjente punë, kurse fëmijët u integruan përmes kopshtit, shkollës dhe futbollit.

“Prindërit kanë punuar shumë, gjatë gjithë jetës së tyre, që të na ofrojnë jetë më të mirë. Për mua është e kuptueshme që të kthej sa më shumë që të jetë e mundur”, thotë Elvis Rexhbeçaj. “Ndonëse babai punonte shumë, për të ishte e rëndësishme që të na shihte sa më shpesh që ishte e mundur. Për shembull ai vinte në stërvitje pas punës”.

E kaluara e vështirë e bën Rexhbeçajn më të fortë

Ndonëse rrethanat ishin të vështira, Rexhbeçaj asnjëherë nuk është ndier i varfër.

“Ne kemi pasur një shtëpi të vogël dhe në fakt asnjë pronë. Por kjo nuk më ka shqetësuar, përkundrazi. Nuk do të doja që të rritesha ndryshe, për shembull me shumë kompjuterë apo në shtëpi të madhe. E di që ishte shumë e vështirë për prindërit e mi. Por nuk na ka munguar asgjë dhe ne fëmijët jemi rritur të lumtur. Nëse do të mund të zgjidhja, kjo do të ishte mënyra që do të isha rritur sërish. Isha i lumtur që mund të shkoja në shkollë çdo ditë dhe më pas në fushën e futbollit me shokë. Ne kemi jetuar së bashku në shtëpi. Gjithnjë kam menduar se kjo është e shkëlqyeshme”, ka pranuar Rexhbeçaj.

Rrëfimi i tij nuk dallon shumë prej rrëfimit të lojtarëve të tjetër shqiptarë të rritur në vendet evropiane. Përmes futbollit ata kanë siguruar të ardhura të majme dhe jetë më të lehtë për prindërit e familjen.

Talenti i Elvisit doli herët në pah, fillimisht te skuadra Brandenburger. Jens Todt, një emër i njohur i futbollit në Gjermani, e orientoi atë drejt Wolfsburgut.

Familja gjashtanëtarëshe Rexhbeçaj lëvizi për në Wolfsburg dhe Elvisi bëri hapa tutje në karrierë te skuadra me të njëjtin emër. Tashmë ai po bën emër në Bundesligë, por duke mos harruar prejardhjen dhe vështirësitë që kishin si familje./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.