07-02-2025

E vrau dhe e groposi në mal, prokuroria merr vendim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Ferizajt, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Leutrim Fejzës për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: Vrasje e rëndë.

 

‘’Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më 23 janar 2025 në orët e pasdites, në malet e një fshati të Komunës së Ferizajt, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta viktimën Bekim Vari, në atë mënyrë që të njëjtit së bashku më 22 janar 2025, fillimisht shkojnë në një villë, ku aty qëndrojnë së bashku, kurse të nesërmen të dytë në këmbë nisen për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, ashtu që për shkaqe të panjohura deri tani ata devijojnë rrugën dhe vazhdojnë për malet e një fshatit të Komunës së Ferizajt dhe me të arritur afër fshatit i pandehuri për motive ende të panjohura fillimisht e godet me sëpatë në kokë nga mbrapa, pastaj e godet edhe disa herë në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dhimbje, derisa të njëjtin e privon nga jeta, pastaj viktimën e gropos në një vend në mal duke e mbuluar me dhe e drunjtë kufomën me qëllim të fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Ndërsa më 5 shkurt 2025 nga disa persona të fshatit gjendet trupi i pajetë i viktimës si dhe në afërsi të kufomës janë gjetur edhe rrobat e tij të djegura’’, thuhet në njoftim.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij./IO

 

Asnjë koment

Comments are closed.