08-05-2024

Edhe 3 viktima të tjera pranohen për të marrë pjesë në proces gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët

Gjykata Speciale ka njoftuar se trupi gjykues II nxori vendimin e gjashtë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët, ku tre parashtrues të tjerë kërkesash u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor.

Këta të tre, thuhet se  do t’i shtohen grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje (grupi 1 i cili numëronte 137 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në vendimin më të fundit u refuzuan shtatë kërkesa. Bashkë me këta, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 140”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.